Dy persona janë ndaluar mbrëmjen e 26 shkurtit në Prizren, pasi dyshohet për posedim dhe shpërndarje të paautorizuar të substancave narkotike.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 në rrugën “Sahat Kulla”, ku hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) kanë ndaluar një veturë Audi me targa 04, të cilën po e drejtonte Ali Saramati (29-vjeçar), ndërsa pasagjer ishte Masar Jedrashi (29-vjeçar).
Sipas burimeve nga struktura të afërta me hetimin, gjatë ndalimit Masar Jedrashi ka tentuar të dalë nga vetura, por është ndaluar nga policia. Gjatë kontrollit trupor, atij i është gjetur dhe sekuestruar:
• një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike me peshë rreth 23 gramë,
• një thikë me ngjyrë të zezë,
• një telefon mobil iPhone 12 Pro.
Ndërkohë, në një xhaketë brenda veturës, që dyshohet se i përkiste Ali Saramatit, është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë 1.50 gramë.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda është realizuar edhe kontroll në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarve, por nuk është gjetur asgjë e kundërligjshme.
Të dy janë shoqëruar në zyrat e DHTN-së në Prizren dhe janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës.
Me aktvendim të Prokurorit, Masar Jedrashi është ndaluar dhe dërguar në Qendrën e Ndalimit në Prizren, ndërsa ndaj tij pritet të ngrihet kallëzim penal për veprën penale nga neni 267 i Kodit Penal.
Ndërsa Ali Saramati është liruar në procedurë të rregullt dhe ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal për veprën penale nga neni 269 i Kodit Penal.
Rasti është në hetim nga Njësia e DHTN-së në Prizren.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.


