Liverpooli ndodhet në një situatë alarmante pas humbjeve në Ligën Premier kundër Crystal Palace, të cilët kishin fituar tashmë në Community Shield, dhe në Ligën e Kampionëve ndaj Galatasaray, duke nxitur një mini-krizë për skuadrën që po zbulon brishtësinë e vet.
Shenjat e para të vështirësive u panë më herët kundër Newcastle në ligë, ku Liverpooli edhe pse kundërshtari mbeti me dhjetë lojtarë për një pjesë të parë iu afrua barazimit në disa raste pavarësisht numrit inferior, si dhe kundër Atlético Madrid në Evropë, ku ftoi vetëm në fund falë goditjes me kokë të Virgil van Dijk, por u nënvlerësuan nga trajneri Arne Slot, i cili tani ndodhet nën kritika.
Ekip pa ekuilibër
Fushata e bujshme e transferimeve prej 450 milionë funtesh, që solli në Anfield emra si Alexander Isak, Florian Wirtz, Hugo Ekitike, Milos Kerkez, Jermie Frimpong dhe Giovanni Leoni, i ka konfirmuar si favoritë për të fituar Ligën Premier dhe Ligën e Kampionëve, por në javët e fundit Liverpooli nuk shihet më me atë sy.
Jamie Carragher, ish-mbrojtës i Reds dhe tani komentator për CBS Sports, tha: “Sot, Liverpool nuk luan futboll, ata luajnë basketboll. Ata shkojnë nga njëri skaj i fushës në tjetrin pa kontroll: një ekip i shkëlqyer nuk mund ta përballojë këtë”.
Szoboszlai në mbrojtje dhe problemi Wirtz
Slot, trajneri që trashëgoi pozitën e Klopp dhe fitoi menjëherë titullin e Ligën Premier, është kritikuar për vendosjen e Dominik Szoboszlai në pozicionin e mbrojtësit të djathtë për herë të katërt këtë sezon.
Hungarezi shkaktoi penalltinë e fitores për Galatasaray, duke kërkuar falje pas ndeshjes.
Çështja e ekuilibrit në ekip lidhet kryesisht me Florian Wirtz, i cili erdhi nga Bayer Leverkusen për një tarifë mes 135 dhe 150 milionë eurosh, duke u bërë blerja e tretë më e shtrenjtë në histori pas Neymar (222 milionë euro) dhe Mbappé (180 milionë euro).
Kritika nga Carragher dhe Rooney
Wirtz duket si një lojtar jashtë kontekstit te Liverpooli, dhe Carragher shprehet: “Ai nuk është në formë, duket se nuk është në vendin e duhur. Është i ri dhe do të ketë kohë të rritet, por për momentin duhet të lihet jashtë: Liverpooli duhet të rizbulojë vetëbesimin dhe të kthehet në unitetin e vitit të kaluar. Tani për tani ata janë një katastrofë”.
Wayne Rooney ishte edhe më i ashpër: “Ai është shumë i talentuar, por po gjen pozicionin e duhur. Liverpooli shpenzoi shumë para për të, por me të në fushë ata kanë humbur ekuilibrin. Ai sapo ka ardhur, duhet ta kuptojë Ligën Premier, i duhet kohë, por tani për tani po përpiqem të shoh se ku përshtatet. A është ai një mesfushor i tretë? Jo për mua, ai është më shumë një lojtar sulmues. Pra, nëse duhet të zgjedh midis tij dhe Szoboszlait, atëherë do të zgjedh Szoboszlain”.
Test ndeshjet me Chelsean dhe Manchester Unitedin
Situata nuk është dramatike: Liverpooli ende kryeson Ligën Premier, dy pikë përpara Arsenalit, dhe ka tre pikë pas dy ndeshjeve të Ligës së Kampionëve.
Megjithatë, ndeshjet e ardhshme do të tregojnë nëse kjo krizë është e përkohshme. Të shtunën Reds vizitojnë Chelsean, pas pushimit presin Manchester Unitedin dhe më pas udhëtojnë për në Frankfurt për të përballuar Eintracht Frankfurt në Ligën e Kampionëve – një mini-cikël shumë i ndërlikuar. /Telegrafi/