Gati tri dekada kontribut në arsimin shqip në Kosovë.
Profesoresha e matematikës, Selvije Makolli i përcolli shumë gjenerata gjatë punës së saj shumëvjeçare si profesoreshë në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë.
Përpos që angazhohet për t’i mësuar fëmijët në bankat shkollore, ajo ka disa muaj që ka marrë edhe një iniciativë vullnetare.
Makolli pas orarit mësimor, shkon për t’i mësuar fëmijet e sëmurë me kancer që janë të shtrirë në Klinikën e Onkologjisë.
Ajo në një intervistë për Klankosova.tv ka folur më shumë rreth këtij angazhimi shumë human.
Profesoresha thotë se fëmijët që përballen me sëmundje të rënda, shpesh kanë nevojë për më shumë se vetëm mjekim.
” Ideja për këtë projekt ka lindur nga dëshira për t’i ndihmuar fëmijët të ruajnë lidhjen me arsimin dhe të ndihen të fuqizuar, pavarësisht sfidave të tyre shëndetësore. Përvoja me shoqeri, empatia dhe kuptimi i rëndësisë së arsimit si burim shprese e normaliteti shpesh frymëzojnë një vendim të tillë. Fëmijët që përballen me sëmundje të rënda shpesh kanë nevojë për më shumë se vetëm mjekim – ata kanë nevojë për kurajë, dashuri dhe kujdes, dhe arsimi mund të jetë një pjesë e rëndësishme e shërimit të tyre”, u shpreh ajo për Klankosova.tv
Selvije Makolli, theksoi se ky projekt i saj ka nisur nga muaji maj i këtij viti.
” Angazhimin tim ne kete projekt e kam filluar që nga muaji maj 2024 .Unë si profesoreshë e matematikës i mbaj keto orë mësimore pas orarit të mësimit që sado pak fëmijët t’i largojë nga gjendja e tyre aktuale e të shndërrohet dhoma e tyre në një ambient klase e argetimi. Deri më tani kam shkuar dy her në jave dhe realizimin jam duke e bërë varësisht nga gjendja e tyre shëndetësore dhe emocionale , në mënyrë individuale nëpër dhomat e tyre ose në dhomën e lodrave. Fëmijëve po iu duken shum atraktive këto orë mësimore të cilët me padurim po i presin”, theksoi Makolli.
Profesoresha e Matematikës shton se motivi për t’i mësuar fëmijet e sëmurë me kancer lidhet në disa aspekte.
“Humanizmi.Të ndihmosh fëmijët që po kalojnë sfida të mëdha shëndetësore dhe t’u sjellësh pak normalitet dhe gëzim përmes edukimit. Mbështetje morale: Edukimi është një mënyrë për t’u dhënë shpresë dhe për t’i larguar fëmijët nga mendimet mbi sëmundjen e tyre. Rëndësia e arsimit: Një mësues beson se çdo fëmijë, pavarësisht rrethanave, meriton të mësojë dhe të zhvillohet intelektualisht”, thotë ajo për Klankosova.tv.
Makolli tregon se angazhimi i saj është mirëpritur jashtëzakonisht mirë.
“Angazhimi im si profesoreshë vullnetare në klinikën e Onkologjisë së fëmijëve është pritur jashtzakonisht mirë si nga stafi i klinikës, poashtu edhe nga prindërit dhe fëmijët me mirënjohje dhe respekt. Realizimin e këtij projekt synojë të vazhdojë deri sa ta kam shëndetin e plotë nuk do të ndalem me kaq sepse ky është vetëm fillimi”, u shpreh ajo.
Makolli flet edhe për planet e saja për të ardhmen.
“Plani im është nese mundem ta bëj një organizatë humanitare ku do të përfshihen edhe shumë e shumë mësues dhe profesorë të lëmive të ndryshme që nëpër spitale të mbahen mësime shtesë për nxënësit që nuk munden t’i ndjekin mësimet “, u shpreh profesoresha e matematikës.
Profesoresha në fund pati edhe një mesazh.
“Mesazhi im për të gjithë fëmijët edhe prinderve është : Ju jeni luftëtarët më të fortë dhe burimi më i madh i frymëzimit për të gjithë ne. Kurrë mos e humbni besimin dhe shpresën, sepse çdo ditë që kaloni është një hap më afër fitoreve të mëdha. Bota është më e bukur me buzëqeshjet dhe forcën tuaj të jashtëzakonshme. Jemi gjithmonë pranë jush!”, tha ajo.
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>