Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për komunën e Butelit, Isamedin Abazi, i cili është shqiptari i vetëm që garon për këtë komunë sonte në “Edicionin Special” në Klan Kosova tha se në këto zgjedhje atje situata është më ndryshe, sepse sipas tij, shqiptarët përbëjnë një pjesë të madhe të elektoratit.
Abazi u shpreh se kjo është një mundësi e artë dhe siç tha ai, ndoshta edhe historike për banorët e kësaj komune.
“Komuna e Butelit është komunë në vete nga viti 2005. Në të gjitha mandatet e kaluara kryetari i komunës së Butelit ka qenë i komunitetit maqedonas. Situata në këto zgjedhje është paksa më ndryshe nga zgjedhjet e kaluara”.
“Shqiptarët në këtë komunë tashmë përbëjnë një pjesë dërmuese të elektoratit të tyre dhe në këto zgjedhje qytetarët e komunës së Butelit do të kenë mundësinë të votojnë edhe për një kandidat shqiptar dhe shpresoj që kandidati i vetëm që jam unë, t’i fitojmë këto zgjedhje me 19 tetor”.
“Është një mundësi e artë, është një mundësi ndoshta edhe historike për banorët e komunës së Butelit për shkak se është hera e parë që dalim me një kandidat dhe numrat na e tregojnë se mundësitë janë reale”, u shpreh tutje ai./Klankosova.tv
The post Kandidati i vetëm shqiptar për komunën e Butelit: Mundësi e artë dhe historike (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.