Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Asamblenë Komunale të Prishtinë me numri 35, Bujar Gashi, ka folur për rëndësinë e forcimit të shërbimeve shëndetësore në kryeqytet, me fokus tek ekipet e kujdesit shtëpiak.
Ai ka theksuar se gjatë kohës sa ka qenë drejtor i Shëndetësisë, ka vërejtur nga afër sfidat e këtij shërbimi, ku për shkak të numrit të vogël të ekipeve shpesh nuk arrihej të mbuloheshin të gjitha kërkesat e qytetarëve.
“Fillimisht kisha përshtypjen se ekipet e kujdesit shtëpiak nuk po bënin mjaftueshëm. Mirëpo, kur kalova si drejtor i Shëndetësisë, pashë se ato punonin shumë, por numri i tyre ishte i vogël. Shpeshherë ndodhte që pacientët të mbeteshin për ditën tjetër, sepse nuk arrihej të mbulohej gjithçka,” ka deklaruar Gashi.
Ai ka theksuar se me përpjekjet e bëra në këtë drejtim, numri i ekipeve është rritur dhe dyfishuar, duke bërë që edhe kërkesat e qytetarëve të rriten ndjeshëm.
Krahas kësaj, është punuar edhe në informimin e qytetarëve përmes promovimit shëndetësor.
“Një pjesë e madhe e qytetarëve as që e dinin që ekziston kujdesi shtëpiak, sikurse shumë prej tyre nuk e dinin as numrin e urgjencës 194. Sa më shumë i informon qytetarët, aq më shumë ata që kanë vërtetë nevojë kërkojnë shërbim. Prandaj kemi bërë thirrje që kujdesi shtëpiak dhe tash edhe kujdesi paliativ të shfrytëzohet nga ata që e kanë realisht të nevojshëm, sepse nëse kërkesat janë të panevojshme, dëmtohen pacientët që kanë më shumë nevojë,” ka shtuar ai.
Gashi ka sqaruar se kujdesi shtëpiak nuk është vetëm për të moshuarit, por për secilin pacient që, për arsye shëndetësore apo gjendje postoperative, nuk mund të dalë nga shtëpia. Një pjesë e madhe e rasteve, sipas tij, janë pacientë në faza terminale që kanë nevojë për trajtim dhe mbështetje të vazhdueshme.
Ai ka theksuar se do të angazhohet që në Asamblenë Komunale të Prishtinës të mbështesë projekte konkrete për fuqizimin e kujdesit shëndetësor në terren, duke garantuar që qytetarët të mos mbeten pa shërbime bazike e të domosdoshme.