Kandidatët për Prishtinën: S’ka koalicion me këdo – ja kush lë derën hapur

Kandidatët për Prishtinën: S’ka koalicion me këdo – ja kush lë derën hapur

Kandidatët për kryetar të Prishtinës kanë shpalosur qëndrimet e tyre rreth mundësive për koalicione paszgjedhore, duke theksuar qasjet e ndryshme për bashkëpunim në kryeqytet.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Përparim Rama, tha se është i hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë që kanë për synim të mirën e Prishtinës.


“Unë jam i hapur për koalicione me secilën parti që ia do të mirën kryeqytetit,” deklaroi Rama në emisionin Debat Plus.

Nga ana tjetër, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, u shpreh më përjashtues, duke theksuar se nuk do të bashkëpunojë me PDK-në dhe LDK-në.
“Unë do të bëj koalicion me të gjitha partitë tjera, përpos me PDK-në dhe LDK-në,” tha Çeku.

Ndërsa kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Urani Ismaili, theksoi se nuk e sheh çështjen e koalicioneve si partiake, por si një bashkëpunim për të mirën e qytetit.

“Shoh dallime të mëdha konceptuale, nuk e kam partiake. Do të bashkëpunoj me çdo parti e çdo ekspert për të mirën e Prishtinës. Do të pranoj koalicion vetëm për projektet konkrete të Prishtinës,” deklaroi Ismaili, duke shtuar se synon që bashkëpunimet të bazohen në plane të realizueshme për kryeqytetin.

Sipas tij, çdo koalicion duhet të ketë për qëllim zhvillimin real të Prishtinës, e jo marrëveshje politike për interesa partiake.