Tuesday, February 24, 2026
spot_img
HomeLajmeKanadaja rikonfirmon mbështetjen për Kosovën, Blitt uron Kurtin për mandatin e ri

Kanadaja rikonfirmon mbështetjen për Kosovën, Blitt uron Kurtin për mandatin e ri

Kryeministri Albin Kurti priti sot në takim ambasadoren jorezidente të Kanadasë për Kosovë, Jessica Blitt.

Në komunikatë bëhet e ditur se Kurti e falënderoi ambasadoren për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme, përfshirë mbrojtjen, ku pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës po trajnohen në akademitë ushtarake të trajnimit në Kanada. Ai theksoi gjithashtu prioritetet e qeverisë për investime strategjike infrastrukturore, duke përfshirë digat, stadiumet, hekurudhat, energjinë dhe minierat, si dhe rritjen e investimeve në mbrojtje.

Ndër të tjera, Kurti e falënderoi ambasadoren edhe për mbështetjen e Kanadasë ndaj pjesëmarrjes së Kosovës në Konventën e Shoqatës së Kërkuesve dhe Zhvilluesve të Kanadasë (PDAC), që do të mbahet në Toronto më 1–4 mars.

Anëtare e G7 dhe e NATO-s, Kanadaja është shtet mik dhe partner i rëndësishëm në mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të përbashkëta. Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të punojë për zgjerimin dhe thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve tona.

Ky ishte takimi i parë ndërmjet tyre në mandatin e ri qeverisës. Ambasadorja Blitt po ashtu e uroi kryeministrin Kurti për mandatin e ri, duke riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Kanadasë për Kosovën./Klankosova.tv

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT