Kanadaja njeh shtetin e Palestinës

Kanadaja njeh shtetin e Palestinës

Kanadaja e ka njohur shtetin e Palestinës.

Kryeministri Mark Carney tha: “Kanadaja njeh shtetin e Palestinës dhe ofron partneritetin tonë në ndërtimin e premtimit të një të ardhmeje paqësore si për shtetin e Palestinës ashtu edhe për shtetin e Izraelit.”


Kjo e bën Kanadanë vendin e parë të G7 që njeh zyrtarisht Palestinën.

Ky vendim vjen mes rritjes së presionit ndërkombëtar për një zgjidhje me dy shtete dhe përfundimin e dhunës në Rripin e Gazës, ku mijëra civilë palestinezë kanë humbur jetën gjatë muajve të fundit.

Njohja zyrtare nga Kanadaja pritet të ndikojë edhe në qëndrimet e vendeve të tjera të fuqishme

Ndryshe, sot pritet që shtetin palestinez ta njohin edhe Britania e Madhe dhe Portugalia.

Ky veprim ka tërhequr kritika të ashpra nga qeveria izraelite, familjet e pengjeve dhe disa konservatorë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu më parë tha se një veprim i tillë “shpërblen terrorin”.

Raportohet se operacioni i fundit tokësor i Izraelit në Qytetin e Gazës, i përshkruar nga një zyrtar i OKB-së si “katastrofik”, ka detyruar qindra mijëra njerëz të largohen.

Më parë këtë javë, një komision hetimor i Kombeve të Bashkuara arriti në përfundimin se Izraeli kishte kryer gjenocid kundër palestinezëve në Gaza, të cilin Izraeli e denoncoi si “të shtrembëruar dhe të rremë”.

Në anën tjetër, të paktën 64,905 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, sipas ministrisë së shëndetësisë të territorit të drejtuar nga Hamasi.

Shumica e popullsisë është zhvendosur gjithashtu vazhdimisht; më shumë se 90% e shtëpive vlerësohet të jenë dëmtuar ose shkatërruar; sistemet e kujdesit shëndetësor, ujit, kanalizimeve dhe higjienës janë shembur; dhe ekspertët e sigurisë ushqimore të mbështetur nga OKB-ja kanë shpallur “zi buke” në Qytetin e Gazës. /Telegrafi/