Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës, e cila publikoi vetëm dispozitivin e aktgjykimit, duke shtyrë për më vonë publikimin e arsyetimit të plotë.
Në një njoftim në rrjetet sociale, Kryeziu e cilësoi këtë veprim jo si praktikë juridike por si një “manovër politike”, duke argumentuar se përmes një njoftimi të cunguar po testohen reagimet publike, ndërsa e gjithë Republika mbetet “pezull”, përcjell Telegrafi.
Sipas tij, kjo mënyrë e veprimit “e minon besimin në Kushtetutë dhe bart në vetvete farën e një goditjeje të rëndë ndaj shtetit”.
Kryeziu paralajmëroi se gjykimi i vërtetë dhe vlera e vendimit nuk mund të nxirren nga dispozitivi i vetëm: “Megjithatë, gjykimi i vërtetë bëhet vetëm nga teksti integral i Aktgjykimit — aty shihet nëse kemi një interpretim kushtetues apo një rrugë drejt vetëvrasjes shtetërore”.
Sipas tij, vonesa në publikimin e arsyetimit dhe lëshimi i vetëm i dispozitivit krijojnë hapësirë për interpretime të nxituara dhe përçarje në opinionin publik, ndërsa vetëm teksti i plotë i vendimit mund të japë pasqyrën e saktë të arsyetimit juridik dhe konkluzioneve të kolegjiumit gjyqësor.
Ky reagim vjen ndërsa presin komentet dhe vlerësimet e aktorëve të tjerë institucionalë dhe ekspertëve juridikë, të cilët pritet të analizojnë tekstin e plotë sapo të publikohet. /Telegrafi/