
Grremçi moti kishte lexuar shumë anekdota dhe kurrë nuk i kishte shkuar mendja se edhe ai mund të gjendej në situatë që të pajtohej se :
Ka keq e ma keq”. Ai tashmë kishte kaluar 35 vjet duke kërkuar një dokument për të përkthyer njëzetë ari tokë që kishte blerë i ati i tij në kohën kur Zeza ishte pushtuar nga austro- hungarezët. Bile atë copë toke e kishte uzurpuar në një kohë kur nuk dihej nga sa po shitet pasuli. Atë copë lëndinë e kishte pas uzurpuar babai i atij Ludvigut të VI- të që tash jeton në Australi dhe siç po tregojnë, ai ka atje hiq më pak se pesëmijë hektarë tokë të klasit të parë.
“Odiseja e Grremçit duke kërkuar zgjidhjen e një çështjeje pronësore tashmë ka marr epilog”, mund të mendonte dikush që e njeh ketë zijosh nga Zeza. Lexuesi do të thoshte; sa mirë që Grremçi më nuk ka nevojë të ngarend nëpër zyre të administratës.
Në të vërtetë, Grremçi nuk ka zgjidhur asgjë për 35 vjet. Ai tashmë ka hequr dorë nga zgjidhja e problemit me të cilin merret që kur iku nga fshati dhe gjeti punë në Shehrin e Mustafë Agës. Po nuk i doli punë Ggremçit vetëm me tapitë e Mustafë Agës por edhe me arat që i trashëgoi nga stërgjyshet, gjyshet dhe i ati.
Madje, Grremçi moti kishte filluar të fliste vet me veti. Të gjithë ata që e njohin kishin filluar të mendojnë në mos vallë ai ka shkalluar fare?
Herën e fundit që shkoi në komunën e Zezës, në të gjitha zyrat që hyri, të gjithë e shikonin me habi. Ai dukej sikur kërkonte diçka por nuk ia nxirrte goja emrin e dokumentit. Në sportelin numër zero (O), punonin shtatë veta. Asnjeri prej tyre nuk ngriti kokën për të parë se çfarë e lige e ka sjellë Grremçin ku di për të satën herë. Edhe Grremçi i shikonte ata administratorë të gjithë me rend. Secili kishte para veti një kompjuter dhe printerin afër. A punonin apo jo diçka ata nëpunës, që paguhen, nga shteti, apo vetëm po shtiheshin sikur punojnë, këtë nuk mund e përthekonte Grremçi me trurin e tij.
Fati i mirë që Grremçi nuk di asgjë nga puna me kompjuter, prandaj edhe i shikonte me habi ata shtatë veta të ndarë nëpër kthina, por që koka u dukej nga jashtë.
Më në fund, njëri nga administratoret, që dukej më i vjetri nga mosha, e pyeti Grremçin; se çfarë e lige e ka sjellë.
– Më thanë se për ta kryer atë punën për të cilën kam shëtitur nëpër zyre plot 35 vjet, tash do të kemi më lehtë dhe shpresova se ndoshta do lind dielli para se të perëndoj fare?- kishte fol Grremçi.
Administratori kishte prekur diku në testaturë, kinse po kërkon diçka, por Grremçi nuk e kishte idenë se çfarë djallo- punë po bënte ai nëpunës i shtetit.
– Ti e ke blerë tokën e njëfarë Rushitit që ka vdekur moti?- iu drejtua administratori Grremçit.
– Po isha i ri atëherë. Kisha 18 vjet. Shitem dy lopë që kishim për atë copë toke.
– Në cilin vit e keni blerë atë copë arë?
– Sa mbaj mend, në vitin 1971!
– Të duhen dy dëshmitarë.
– I kam këtu dy dëshmitarë! Ja ku janë!- thotë Grremçi.
Administratori fillon të pyes dëshmitarët.
– Sa vjeç ke qenë kur baba yt ka shituar atë arë”
– Dëshmitari i parë: Isha 20 vjeçar!
– A kuptoje si shitet ara dha sa kushtonte?
– Dëshmitari i parë.: Po e mbaj mend mirë! Atëherë baba pyetej për çdo gjë!
– Pse nuk të pyeti ty baba fare para se ta shiste arën ?
– Baba ka qenë zot shtëpie që ka vendos për këtë punë.
– A ke vëllezër të tjerë?
– Po! Jemi katër! vëllezër. Dy punojnë në perëndim.
– Atje shkruan se prona juaj është bartur vetëm në emrin e ju të dyve.
Administratori i drejtohet një punonjëse në këndin tjetër të sektorit.
– Shiko a figuron diku emri i Rushës në regjistër.
Punonjësja shtihej sikur po kërkon diçka në kompjuter, por pa sukses.
– Nuk gjendet askund emri që kërkoni!- thotë ajo.
Tre veta presin në këmbë. Shikojnë njeri tjetrin me njëfarë dëshpërimi.
Administratori i drejtohet kërkuesit të dokumentit:
Siç po shihet, puna e këtyre dëshmitarëve doli me bisht. Ata, jo që nuk mund të bëhen dëshmitarë, por nuk janë as në evidencën e duhur të pronarit. Madje këta dy dëshmitarë, duhet të thërrasin edhe ata dy vëllezërit tjerë që punojnë jashtë dhe të nënshkruajnë deklaratën për pronën e tyre.
– A jeni të martuar të katër vëllezërit? e pyeti administratori Grremçin.
– Po jemi të martuar dhe secili nga ne kemi fëmijë të rritur.
– Ata dy vëllezërit që janë duke punuar jashtë vendit, duhet të vijnë bashkë me gratë e tyre këtu dhe ju të dy me gratë tuaja, dhe të nënshkruani.
Pastaj Administratori i drejtohet Grremçit: A ke grua?
– Po! – përgjigjët Grremçi.
– Duhet ta sjellësh edhe gruan për të nënshkruar letrën!
– Mos rastësisht keni më shumë se dy bashkëshorte? – pyet duke fshehur buzëqeshjen administratori.
Grremçi as që po e dëgjonte më, se çka po thotë administratori, por u përgjigj;
– Po i kam tri gra!
– Puna qenka edhe më keq! Duhet ti merrni me veti ato tri gra dhe të vini këtu për të nënshkruar!
– Grremçi: Po ato nuk dinë të shkruajnë!
– Atëherë e gjejmë ndonjë ngjyrë të para 80 vjetëve dhe ato do të ngjyejnë gishtin e do të lënë gjurmët e gishtave në letër.
– Mos e ke babën gjallë ti Grremç?- pyeti administratori.
– Po!
– Paskemi fol kot deri tash. Se pari duhet të merrni plakun me veti e të vini këtu për të nënshkruar.
– A e keni nënën gjallë?
– Po!
– Atëherë, baba juaj duhet të nxjerrë certifikatat e lindjes për veti dhe për shoqen, si dhe fletë kurorëzimin e tyre. Vetëm pasi të rregullojmë punën me prindërit tuaj, atëherë nisim me juve.
– Më sa di unë, baba nuk ka bërë kurorë kurrë deri sot dhe as që gjendet ai dokument!- foli Grremçi. Aq më keq është puna e nënës, pasi ajo është rritur jetime Pas Bjeshkës dhe nuk ka kurrfarë letre. Emri i saj nuk gjendet në asnjë regjistër, as këtu as atje.
– Për të nxjerrë dokumentin që kërkoni, kështu është procedura ligjore! – foli nëpunësi.
Grremçi qeshi me zë. Sikur po i thoshte veti, ndoshta ky njeri nëpunës i shtetit mund të kërkoj edhe ndonjë letër-dokument nga koha e pushtimit austro- hungarez të Zezës.
Duke parë dëshpërimin në fytyrën e Grremçit, administratori sikur deshi ta zbuste pak acarimin e palës.
– Ka edhe raste tjera që kërkojnë edhe ma shumë dëshmitarë!- foli ai. Madje ka paralajmërime se edhe shqiptarët që janë shpërngulur në Turqi do të kthehen.
Një ditë kanë ardhur dy pasardhës të një familjeje, por që kishin emra e mbiemra turk dhe dokumente personale turke. Ata kërkonin tua gjenim vendlindjen e tyre dhe tokat që i kishin pasur prindërit e tyre para se të shpërnguleshin në Turqi. Ata kishin ruajtur do letra( tapi) por që ishin në gjuhën osmane. Aty shkruante edhe emri i vendlindjes së tyre por, atë emër fshati nuk e gjenim dot në hartën e Zezës. Rasti i tyre na ka shty që të kërkojmë në arkivin e Stambollit emrat e fshatrave e të fshatarëve, pasi administrata e asaj kohe ua kishte ndryshuar edhe emrat personal kur janë vendosur në Turqi, duke i përkthyer në gjuhën osmane. Ata dy burra dinin ndonjë fjalë shqip, por sa kohë i kishin pasur prindërit gjallë as që ju kishte shkuar nder mend të pyesin nga kanë ardhur në Turqi. Për të ndërmarr diçka për zgjidhjen e problemit të tyre duhet shikuar me mijëra dokumente. Pastaj nuk po gjejmë përkthyes të gjuhës osmane!?
Sikur ju, këtu ka ardhur edhe ai Ziu i Zezës dhe ka kërkuar një dokument ashtu siç kërkoni ju. Ziut i ka dal punë më shumë se juve, pasi ai titullari i pronës që ia ka shitur para 55 vjetësh ka vdekur moti, por ka lënë gjashtë djem të cilët kanë ikur jashtë Zezës. Për ta përkthyer atë arën e tyre në pronësi të Ziut, duhet të jenë prezent gjashtë vëllezërit e tyre pasi ata janë trashëgimtarë të ligjshëm të asaj are. Po si ti gjej Ziu ata gjashtë vëllezër, kjo duket mjaft punë e vështirë. Ata janë në shtete të ndryshme dhe atje kanë ble edhe shtëpi. Bile nuk janë vetëm në kontinentin e Evropës por dy janë në Australi.
– Pra, siç po shihni, ka keq e më keq. Ju nuk duhet të dorëzoheni derisa të kompletoni të gjitha ato letra dhe dëshmitarë që kërkojmë na në komunën e Zezës.
– Nuk është lehtë për neve që punojmë në administratë, ndërsa ju palët që vini këtu e keni ma lehtë! – tha administratori.
Grremçi vetëm dëgjonte me habi se deri ku mund të arrijnë kërkesat e administratorëve të Zezës, në mënyrë që një fshatar të mund të rregullojë letrat për të përkthyer një 20 ari tokë të klasit të pestë.
Grremçi bashkë me dy dëshmitarë kishin mbetur duke shikuar në tavanin e zyrës, të ngrirë si të ishin statuja betoni dhe nuk dinin as çka të pyesnin tjetër.
– Paska keq e më keq!- foli me zë Grremçi. Demek siç po thotë ky nëpunësi, na qe endemi kot nëpër zyre, qenkemi më mirë se Ziu i cili paska blerë tokë nga babai i atij Ludvigut të VI- të( kështu e ka tash emrin i biri i Harunit i cili pat ikur në Australi, fiks para 118 vjetësh.
Luaja mace kryet e buallit! Ka keq e ma keq!- tha Grremçi dhe doli nga zyra total i pashpresë se një ditë do të ndreqte një letër-dokument.


