Justin Bieber publikon fotografi të rralla me djalin Jack Blues, pas postimeve të çuditshme në Segway

Justin Bieber publikon fotografi të rralla me djalin Jack Blues, pas postimeve të çuditshme në Segway

Justin Bieber ka befasuar fansat e tij duke ndarë për herë të rrallë imazhe me djalin e tij 12-muajsh, Jack Blues, të enjten në mbrëmje.

31-vjeçari publikoi disa fotografi në Instagram ku shihet duke kaluar kohë me të birin në natyrë dhe në makinë, duke u siguruar që fytyra e vogëlushit të mos shfaqej, siç kanë bërë gjithmonë ai dhe bashkëshortja e tij, Hailey Bieber.


Në një prej fotografive, këngëtari shihet duke mbajtur Jack-un në krahë, ndërsa vogëlushi i mbante dorën babait të tij, shkruan DailyMail.

Një tjetër imazh e paraqiste djalin duke qëndruar në prehërin e Justin në sediljen e makinës dhe duke parë jashtë nga xhami i përparmë.

Përveç tyre, ai ndau edhe një fotografi të realizuar gjatë një seti fotografik për albumin e tij më të fundit, Swag, ku Jack-u shihet i ulur mbi gjoksin e mbushur me tatuazhe të babait.

Publikimi i këtyre momenteve intime erdhi vetëm disa orë pasi Bieber shkaktoi reagime të përziera me një postim të pazakontë, ku shfaqej duke ngarë një Segway në natyrë, i veshur vetëm me të brendshme.

Pamjet u komentuan gjerësisht nga fansat, me disa që e kritikuan, e disa të tjerë që e panë si “klasike Bieber”.

Pas kohës së kaluar me Jack-un, këngëtari duket se e shijoi edhe një natë në qytet me miqtë, duke ndarë fotografi nga një sallë biliardi dhe darts.

Ai i mbeti besnik stilit të tij të thjeshtë me xhinse, kapuç dhe atlete, ndërsa u shfaq për herë të parë me mjekrën e re që ka debutuar këtë muaj.

Ndërsa Hailey dhe djali i tyre nuk janë parë në këto postime, fansat mbeten të intriguar nga mënyra se si çifti zgjedh të ndajë momente të rralla familjare, duke mbajtur privatësinë për jetën e Jack-ut, por njëkohësisht duke i dhënë publikut një vështrim të shkurtë në përditshmërinë e tyre. /Telegrafi/