Duket se Justin Bieber ndjehet më i qetë se kurrë me veten. Këngëtari i njohur 31-vjeçar të mërkurën publikoi në Instagram një seri fotografish dhe videosh ku shihej duke vozitur një Segway, i veshur vetëm me të brendshme. Ai ndau imazhe nga rruga me zhavorr, në mes të ditës, ku shfaqej vetëm me të bardhat.
Në çdo fotografi ku i shihej fytyra, Bieber buzëqeshte dhe dukej i lumtur. Krahas postimit nuk shkroi asgjë, por shtoi këngën e tij të re “Speed Demon” nga albumi “SWAG II”, i publikuar fundjavën e kaluar. Vetëm brenda tetë orësh, publikimi i tij arriti mbi një milion pëlqime.
Më vonë, ai vazhdoi të ndajë edhe aventura të tjera në natyrë – duke vozitur jet-ski, buggy dhe kajak – këtë herë i veshur. Në të gjitha postimet, Bieber shihet duke qeshur, gjë që u vu re edhe nga fansat. “E dua ta shoh të lumtur dhe gjithmonë të buzëqeshur”, kanë shkruar disa prej tyre.
– YouTubeyoutu.be
Ky nuk është hera e parë që këngëtari shfaqet në rrjete sociale vetëm me të brendshme. Të hënën ai publikoi një fotografi ku qëndronte në tarracë me tre miq. Të gjithë qeshnin, ndërsa njëri prej tyre luante kitarë. Bieber kishte veshur vetëm të bardha, disa aksesorë dhe një çorape kompresuese. Në përshkrim, ai kishte etiketuar miqtë e tij, duke shtuar tre emoji zemrash.
Fotot më të fundit, të realizuara në kuadër të publikimit të albumit të ri, kanë ngjallur edhe kritika. Në disa prej tyre, Bieber shihet sërish vetëm me të brendshme Calvin Klein, duke mbajtur në krah djalin e tij. Edhe bashkëshortja e tij, modelja Hailey Bieber, ka reaguar ndaj këtyre imazheve.
Kujtojmë se çifti ka një djalë, Jack Blues, i cili më 22 gusht festoi ditëlindjen e parë. “Një vit me ty, djali im i bukur. Gëzuar ditëlindjen e parë Jack Blues, ti je gëzimi i mishëruar”, kishte shkruar Hailey në një postim emocionues në Instagram.
Justin dhe Hailey u martuan në shtator të vitit 2018. Në maj 2024 ata rinovuan betimet martesore në Havai, ku njoftuan se prisnin fëmijën e tyre të parë. Djali lindi në gusht 2024 dhe që nga ajo kohë, çifti shpesh ndan me publikun momente të ngrohta familjare.
Në një intervistë për Vogue Italia, të publikuar më 23 korrik, Hailey foli për thashethemet rreth martesës dhe për sfidat e periudhës pas lindjes. “Muajt pas ardhjes në jetë të djalit ishin periudha më delikate e jetës sime”, tha ajo, duke shtuar se të mësohej me versionin e ri të vetes ishte një proces i vështirë.
“Dhe pastaj ta përjetosh këtë ndërkohë që lexon vazhdimisht lajme të rreme si ‘Po divorcohen’ apo ‘Nuk janë më të lumtur bashkë’, është diçka që të çmend”, u shpreh Hailey. “As nuk di ta shpjegoj. Është një jetë e çmendur”. /Telegrafi/