Aktorit dhe producentit amerikan, Justin Baldoni, i janë shtuar akuzat për sjellje të papërshtatshme në punë.
Një person anonim, që pritet të paraqitet si dëshmitar në gjyqin kundër tij, ka thënë për People se ka pasur “kontakte të përsëritura dhe negative me Baldonin dhe ekipin e tij, përfshirë edhe abuzim verbal”.
Ky dëshmitar pritet të paraqitet në gjyqin që Blake Lively ka ngritur ndaj Baldonit, kompanisë së tij Wayfarer Studios dhe palëve të tjera, i cili do të zhvillohet në mars 2026 në New York.
Justin Baldoni (Foto: Instagram)
Akuza e Lively lidhet me periudhën e xhirimeve të filmit “It Ends With Us”, ku sipas saj ka përjetuar ngacmim seksual nga Baldoni.
Padinë ajo paraqiti në dhjetor 2024.
Si Lively ashtu edhe Baldoni kanë konfirmuar se do të dëshmojnë personalisht në gjyq.
Madje, Lively është shprehur në shkurt 2025 se edhe dy kolege të saj nga filmi kanë pranuar të japin dëshmi për sjelljen e supozuar të Baldonit në set.
Justin Baldoni dhe Blake Lively
Seanca e radhës është caktuar për 9 mars 2026. /Telegrafi/