Julian Alvarez tregon pse braktisi Manchester Cityn për Atletico Madrid: Jam mësuar me fitoret

Julian Alvarez tregon pse braktisi Manchester Cityn për Atletico Madrid: Jam mësuar me fitoret

Pas një periudhe të mbushur me suksese te Manchester City, ku fitoi një numër të madh trofesh, Julian Alvarez ka zbuluar për herë të parë motivet që e çuan drejt transferimit te Atletico Madrid.

Sulmuesi argjentinas tha se vendimi i tij ishte një sfidë personale, që kishte për synim rritjen individuale dhe arritjen e potencialit të tij të plotë.


“Ishte një sfidë personale. Doja një ambient që të më ofronte më shumë hapësirë për t’u zhvilluar dhe për të gjetur versionin më të mirë të vetes. Kjo ishte arsyeja pse mora këtë vendim. Tani duhet të vazhdoj përpara dhe të fitoj trofe këtu”, ka thënë fillimisht Alvarez për mediat spanjolle.

Edhe pse u largua nga një klub ku fitoi gjithçka, përfshirë Ligën e Kampionëve dhe Ligën Premier, Alvarez thekson se ambicia për të fituar nuk i është zbehur aspak, përkundrazi.

“Jam mësuar me fitoret. Kam ende shumë vite përpara dhe dua të vazhdoj në këtë rrugë. Askush nuk e pëlqen humbjen dhe unë dua të vazhdoj të rritem personalisht. Kam më shumë se një vit këtu dhe dua të fitoj trofe me këtë klub”.

Forma e tij në këtë fillim sezoni ka qenë mbresëlënëse. Pas tri golave të shënuara në një ndeshje ndaj Rayo Vallecanos, Alvarez vazhdoi me një dopietë të jashtëzakonshme në derbin kundër Real Madridit, duke çuar në gjashtë numrin e golave të shënuar në La Liga këtë sezon.

Në vetëm pak kohë, 25-vjeçari është kthyer në një nga lojtarët kyç të Atletico Madridit dhe një lider i qartë në repartin ofensiv të ekipit të Diego Simeones.

Me këtë ritëm, Alvarez jo vetëm që po e justifikon vendimin e tij për t’u larguar nga City, por po dëshmon se është gati të shkëlqejë edhe në futbollin spanjoll. /Telegrafi/