Ish-ylli i kombëtares spanjolle dhe fituesi i dyfishtë i trofeve më të mëdha me ekipin kombëtar, Juan Mata, ka zgjedhur të vazhdojë karrierën e tij në Australi.
Pas një sezoni me Western Sydney Wanderers, mesfushori me përvojë ka nënshkruar për Melbourne Victory, një nga klubet më të suksesshme dhe më të trofeshme të futbollit australian.
Gjatë prezantimit zyrtar, Mata u shpreh i motivuar për të dhënë maksimumin, duke theksuar ambicien e tij për të fituar tituj dhe për të kontribuar në zhvillimin e futbollit australian.
“Jam i vendosur dhe i motivuar për të fituar trofe, por gjithashtu dua të punoj afatgjatë për të forcuar futbollin në këtë vend”, deklaroi spanjolli.
Në sezonin e kaluar, ai regjistroi 22 paraqitje në A League, duke shënuar një gol dhe dhënë tre asiste, duke treguar se edhe pse në vitet e fundit të karrierës së tij, mbetet një faktor vendimtar në lojë.
Karriera e Matës është e lidhur ngushtë me Ligën Premier, ku la gjurmë te Chelsea dhe Manchester United si një nga mesfushorët më kreativë dhe teknikë të gjeneratës së tij. Stili i lojës, vizioni dhe aftësia për të vendosur ndeshje e bënë të adhuruar nga tifozët në Angli.
Me kombëtaren spanjolle, ai ka zhvilluar 41 ndeshje dhe ka shënuar 10 gola, duke qenë pjesë e brezit legjendar që fitoi Kampionatin Botëror 2010 dhe dy herë Kampionatin Evropian (2008 dhe 2012).
Nga Melbourne Victory theksuan se Mata do të sjellë jo vetëm kualitet në fushë, por edhe një rol të rëndësishëm si mentor për lojtarët e rinj. /Telegrafi/