Ligjëruesi i universitetit “Johns Hopkins”, eksperti amerikan i Ballkanit Perëndimor, Edward P. Joseph, deklaroi se një tërheqje e mundshme e trupave amerikane nga KFOR-i do të ishte një gabim shumë i rëndë.
Eksperti amerikan vuri në dukje faktin se Presidenti Donald Trump është i paparashikueshëm dhe një lëvizje e tillë nuk përjashtohet. Megjithatë, ai theksoi se një veprim i tillë do të ndikonte në paqëndrueshmërinë e Kosovës dhe të gjithë rajonit.
“Nëse ShBA-ja do të tërhiqej nga KFOR-i, do ishte një gabim shumë i rëndë dhe shpresoj që ShBA-ja të mos ta bëjë këtë veprim. Do të ishte një gabim shumë i rëndë dhe këtë e kam ngritur me zyrtarë të DASH dhe anëtarë të Kongresit. I kam shkruajtur edhe një letër sekretarit Rubio, duke i kërkuar administratës që të mos heqë trupat nga KFOR-i, por me Trumpin asnjëherë s’i dihet se çfarë do të bëjë, është shumë i paparashikueshëm. Është e mundur që ta bëjnë, por do të ishte një gabim i rëndë që ShBA-ja ta bëjë këtë dhe do të ftonin paqëndrueshmërinë në Kosovë dhe rajon”, tha Joseph.


