Ish-presidenti amerikan Joe Biden po përballet me një fazë të re në trajtimin e tij mjekësor, pasi në muajin maj zbuloi se vuan nga një formë agresive e kancerit të prostatës.
Zëdhënësi i tij konfirmoi se Biden tashmë po i nënshtrohet radioterapisë dhe trajtimit hormonal, të cilët janë pjesë e një “plani trajtimi” të përcaktuar nga mjekët e tij.
Sipas zëdhënësit, trajtim me rrezatim pritet të zgjasë pesë javë dhe shënon një hap të ri në kujdesin ndaj gjendjes së tij shëndetësore. Biden ka filluar gjithashtu marrjen e një ilaçi hormonal në formë pilule.
Biden, i cili mbush 83 vjeç muajin tjetër, “është mirë”, raporton NBC News.
Muajin e kaluar, ai iu nënshtrua edhe kirurgjisë “Mohs” për trajtimin e një forme të kancerit të lëkurës dhe u shfaq në publik me një fashë në ballë.
Duke e bërë publike gjendjen në fillim të vitit, Biden tha se ishte diagnostikuar pasi u vizitua nga një mjek për simptoma urinare.
Një deklaratë nga ekipi i tij bëri të ditur se ai kishte një “formë më agresive të sëmundjes”, por që “dukej se ishte e ndjeshme ndaj hormoneve, gjë që lejon një menaxhim efektiv.”
Kanceri i prostatës është mjaft i zakonshëm te burrat e moshës së Bidenit, megjithatë shumë raste janë të një forme më të butë që kërkojnë vetëm monitorim.
Katër vitet e presidencës së Joe Biden përfunduan në janar, kur Donald Trump mori pushtetin pasi mundi Kamala Harris, pasardhësen e mundshme të Biden.
Mandati i tij u përmbyll mes shqetësimeve të vazhdueshme për shëndetin e tij fizik dhe mendor, që kulmuan me një “debat televiziv katastrofik”, i cili e detyroi të tërhiqej përfundimisht si kandidat, shkruan Sky News.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!