Jeni të lodhur vazhdimisht? Këto mund të jenë arsyet

Jeni të lodhur vazhdimisht? Këto mund të jenë arsyet

Nëse po pyesni veten pse jeni vazhdimisht të lodhur, kjo mund të jetë një shenjë e një problemi shëndetësor të padiagnostikuar.

Që nga mungesat e fshehura të lëndëve ushqyese deri te sëmundjet e fshehta, ka shumë faktorë të padukshëm që mund t’ju shterojnë energjinë – dhe janë më të përhapura sesa mendoni.


Keni mungesë të kolinës

“Kolina është një nga ato lëndë ushqyese më pak të njohura që nuk merr vëmendjen që meriton – megjithatë, ajo luan një rol të madh në shëndetin e trurit, rregullimin e humorit, nivelin e energjisë dhe madje edhe funksionimin e mëlçisë,” shpjegon Rob Hobson, nutricionist i Healthspan.

Trupi ynë mund të prodhojë një sasi të vogël koline, por jo aq sa na nevojitet, kështu që mbështetemi shumë te ushqimi që konsumojmë.

“Vezët dhe mishi janë burime të pasura, ndaj vegjetarianët dhe sidomos veganët janë më të rrezikuar nga mungesa. Megjithatë, nuk bëhet fjalë vetëm për ushqimet shtazore – edhe ushqimet me bazë bimore si brokoli, fasulet e kuqe, kikirikët dhe kërpudhat përmbajnë kolinë, por në nivele shumë më të ulëta, ndaj duhet t’i konsumoni më shpesh,” thotë Rob. “Nëse ndiheni të lodhur apo pa energji, mund të jetë momenti të rishikoni marrjen e kolinës”.

Nuk po merrni mjaftueshëm rreze dielli

Vitamina D – e njohur si “vitamina e diellit” – luan një rol jetik në sigurimin e energjisë për të gjitha qelizat e trupit. Nëse keni mungesë, mund të ndiheni vazhdimisht të lodhur dhe pa fuqi, gjë që e bën të vështirë përballimin e aktiviteteve të përditshme.

Rreth një në gjashtë të rritur në Mbretërinë e Bashkuar kanë mungesë të vitaminës D, veçanërisht ata që kalojnë shumë kohë brenda. Rrezet e diellit nuk janë mjaftueshëm të forta në dimër për të ndihmuar trupin të prodhojë këtë vitaminë, ndaj NHS rekomandon marrjen e një suplementi me 10 mikrogramë në ditë nga tetori deri në mars.

Në verë, përpiquni të qëndroni në diell për 15–20 minuta në ditë, pa krem mbrojtës në zona të vogla të trupit si krahët ose këmbët, pastaj përdorni mbrojtje nëse qëndroni më gjatë.

E keni tiroiden të nëngarkuar

Problemet me tiroiden e padiagnostikuara mund të çojnë në lodhje, shtim në peshë dhe humor të ulët – sidomos nëse gjëndra tiroide është nën-aktive.

“Kur gjëndra tiroide nuk prodhon mjaftueshëm hormone, metabolizmi ngadalësohet, duke ju lënë të lodhur dhe të paqartë në mendime,” thotë mjeku irlandez Dr Gareth Patterson.

Nëse nuk trajtohet, simptomat përkeqësohen me kohën. Diagnostikimi është i thjeshtë përmes një analize gjaku, të cilën mund ta kërkoni nga mjeku juaj.

“Hipotiroidizmi trajtohet me tableta levotiroksine që rrisin nivelin e hormoneve të tiroides,” shpjegon Dr Patterson.

Po e teproni me kafeinën

Studimet tregojnë se kafeina mund të shkaktojë efekt rikthimi (rebound) dhe të stresoje gjëndrat mbiveshkore, duke shkaktuar më shumë lodhje.

Kafeina ka përfitimet e saj – ju zgjon në mëngjes dhe është një nga përmirësuesit e performancës më të studiuar – por Rob paralajmëron: “Ka një pikë kritike. Rreth një në pesë persona janë shumë të ndjeshëm ndaj saj. Teprimi mund të shkaktojë ankth, dridhje ose probleme me gjumin, që çojnë në një cikël lodhjeje.”

Kafeina gjithashtu rrit nivelin e kortizolit, hormonit të stresit.

Kufiri i rekomanduar është rreth 400 mg në ditë – afërsisht katër filxhanë kafeje të tretshme ose një deri në dy kafe të forta nga dyqani.

Barnat e përditshme po ju zhveshin nga lëndët ushqyese thelbësore

“Barnat janë një revolucion në kujdesin shëndetësor, por pacientët shpesh nuk janë të vetëdijshëm për ndikimin që ato kanë në përthithjen e lëndëve ushqyese,” shpjegon mjekja Dr Siobhan Brenna.

“Humbja e lëndëve ushqyese rrallë përmendet si efekt anësor dhe shpesh ndodh ngadalë, pa u vënë re.”

Farmacisti i regjistruar, Gurdeep Nanra, shton:

“Ndërveprimi i barnave me lëndët ushqyese shpesh anashkalohet. Me kalimin e kohës, mungesat e vitaminës B12, magnezit, CoQ10 dhe lëndëve të tjera thelbësore mund të ndikojnë seriozisht në shëndet.”

Jeni anemikë

“Nivelet e ulëta të hekurit shkaktojnë anemi, që ndikon në aftësinë e trupit për të transportuar oksigjenin, duke ju lënë vazhdimisht të lodhur,” paralajmëron Dr Patterson.

Të rriturit e moshuar, gratë që kanë cikël menstrual dhe ata me dieta të varfra janë më të rrezikuar.

Një analizë gjaku mund të tregojë nëse keni mungesë hekuri. Nëse po, mund të nevojitet suplement, por edhe dieta ka rol të madh,” thotë ai.

Burimi më i mirë ushqimor është mishi i kuq, veçanërisht mëlçia, por edhe perimet me gjethe jeshile si spinaqi dhe brokoli ndihmojnë për vegjetarianët.

Nëse merrni suplement hekuri apo hani ushqime të pasura me hekur, mos pini çaj, kafe ose verë brenda dy orëve, sepse e ulin përthithjen.

Jeni të dehidratuar

“Edhe një rënie e vogël në nivelin e hidratimit mund t’ju bëjë të ndiheni të lodhur dhe me mendje të turbullt,” thotë Phil Beard, nutricionist në markën etike të suplementeve Viridian Nutrition.

Dehidratimi ndikon në rrjedhjen e gjakut drejt trurit dhe muskujve, gjë që ndikon drejtpërdrejt në energji dhe përqendrim.