Manchester City ka bërë një nga goditjet më të mëdha të afatit kalimtar këtë verë me afrimin e portierit italian, Gianluigi Donnarumma.
Ish-portieri i Paris Saint-Germain tashmë është prezantuar në ngjyrat e reja dhe ka bërë paraqitjen e tij të parë me disa pritje të jashtëzakonshme, duke lënë menjëherë gjurmë te skuadra angleze.
Trajneri i Cityt, Pep Guardiola, foli për gazetën L’Equipe, ku nuk i fshehu fjalët e lavdërimit për gardianin 26-vjeçar.
“Me Gianluigi Donnarumma, kemi nënshkruar me një lojtar me përvojë të jashtëzakonshme, me paraqitje të mëdha te PSG, sidomos sezonin e fundit”, u shpreh Guardiola.
Spanjolli theksoi gjithashtu se momenti i transferimit ishte ideal si për klubin, ashtu edhe për lojtarin.
“Ishte momenti i duhur në karrierën e tij për të nisur një aventurë të re në moshën 26-vjeçare. Ne e dinim që ai donte të vinte te ne dhe që kushtet për transferimin ishin të favorshme. Pra, po, jemi të lumtur që e kemi me ne,” përfundoi Guardiola.
Donnarumma pritet të ketë një rol kyç në synimet e Cityt për sezonin e ri, si në kampionatin anglez ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/