Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka mbajtur një fjalim të fuqishëm gjatë ceremonisë përkujtimore të Charlie Kirk, duke e përshkruar atë si një figurë kyçe në formësimin e politikës amerikane bashkëkohore.
Kjo është hera e parë në historinë e SHBA-së që një president dhe zëvendëspresident marrin pjesë dhe flasin në një tubim përkujtimor për një qytetar amerikan pa ndonjë pozitë të lartë zyrtare.
“Vrasësi i lig që na mori Charlien priste që ne të kishim një funeral sot dhe, në vend të kësaj, miqtë e mi, kemi pasur një ringjallje dhe festim për Charlie Kirk dhe Zotit Jezu Krisht,” tha Vance para pjesëmarrësve.
Ai vlerësoi thellësisht përkushtimin e Kirk ndaj vlerave familjare: “Martesa dhe familja janë thirrja më e lartë dhe Charlie Kirk ua solli këtë mesazh të rinjve.”
Duke e kujtuar atë me tone personale, ai shtoi: “Çdo prind do të ishte krenar ta kishte atë si bir.”
JD Vance e cilësoi Kirk si një figurë të pazëvendësueshme në lëvizjen politike konservatore amerikane: “Charlie ndërtoi një organizatë që riformësoi ekuilibrin e politikës sonë.”
Ai shtoi se prania e të gjithë drejtuesve të administratës në ceremoni është dëshmi e ndikimit të tij: “E gjithë administrata është këtu sepse ne e dimë se nuk do të ishim këtu pa të.”
Në fund të fjalimit, Zëvendëspresidenti theksoi se Kirk do të inkurajonte amerikanët të përballen me të keqen dhe të mbrojnë të mirën: “Charlie do t’i inkurajonte të gjithë të jenë të sinqertë se ‘e keqja ecën midis nesh’ dhe ta ‘adresojnë atë drejtpërdrejt si sëmundjen që është’.”
“Por unë gjithashtu mendoj se ai do të na inkurajonte të përqendroheshim te e mira. Ai do të na inkurajonte të kujtonim se për çdo zë të urryer që feston vrasjen e tij, ka një mijë njerëz që e vajtojnë atë dhe luftojnë për trashëgiminë e tij.”, përfundoi JD Vance.
Ceremonia u raportua nga Sky News, duke theksuar përmasat historike dhe emocionale të këtij momenti për lëvizjen konservatore amerikane.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!