Kreu i komunës së Strugës, Ramiz Merko sërish ulet në bankën e të akuzuarve. Më 16 shtator vazhdon gjyqi për emërimin e paligjshëm të drejtorëve në shkollat fillore në fshatin Veleshtë dhe në “Vëllezërit Miladinovci” në Strugë. Për datën e njëjtë është caktuar edhe seanca për vendosjen e tabelës në ndërtesën komunale. Ndërkohë Prokuroria Themelore Publike Strugë ka paraqitur ankesë për rastin e blerjes së makinës luksoze, për të cilën gjyqtari Jordan Jovanov shqiptoi aktgjykim lirues, si dhe për një nga lëndët e lidhura me procedurën e emërimit të drejtorëve, në të cilën iu shqiptua gjobë prej 10.000 euro.
“Ndërkohë, ka arritur edhe një aktgjykim tjetër pas ngritjes së akuzës për emërim të paligjshëm të një drejtori, me të cilin gjithashtu është caktuar gjobë dhe për të cilën prokurori publik kompetent po përgatit ankesë dhe do ta paraqesë brenda afatit ligjor”, tha PTHP Strugë.
Kryetari i gjykatës së Strugës, Adi Vinca, për Alsat tha se dosjet e lëndës për blerjen e Audi A6 tashmë janë dërguar në Gjykatën e Apelit në Manastir, e cila duhet të vendosë nëse do ta shfuqizojë, do ta ndryshojë ose do ta konfirmojë vendimin. Pritet që deri në fund të shtatorit Apeli të marrë vendim. Proceset gjyqësore për Merkon karakterizohen me shtyrje të shumta nga mbrojtja, mosparaqitja e dëshmitarëve, si dhe arsye të tjera.
“Ky është një problem me të cilin përballen një numër i madh gjykatash. Mundësitë që ka në dispozicion gjykata janë relativisht të kufizuara, por në fund të ditës, gjykata megjithatë ka mekanizma të caktuar që mund t’i shfrytëzojë për të përshpejtuar rrjedhën e gjykimit, pa u cenuar të drejtat e mbrojtjes. Por shohim se në praktikë, gjyqtarët shpesh hezitojnë që t’i përdorin këto mekanizma, për këtë arsye vërehet një kohëzgjatje e tillë e gjykimeve”, u shpreh Darko Avramovski – Koalicioni të gjithë për gjykim të drejtë.
Gjyqtari Jordan Jovanov thotë se për të gjitha çështjet e tjera që zhvillohen kundër Merkos, ka kushte që të përfundojnë.