Javë tragjike në Kosovë – shtatë jetë të humbura në shtatë ditë

Javë tragjike në Kosovë - shtatë jetë të humbura në shtatë ditë

Java që lamë pas ishte një prej më të rëndave për Kosovën, pasi shtatë persona humbën jetën në ngjarje tragjike të ndodhura brenda vetëm shtatë ditësh.

Pesë prej tyre vdiqën në aksidente trafiku, ndërsa dy të tjerë në rrethana të tjera fatkeqësie.


E hëna e kaluar nisi me një aksident tragjik në Zajm të Klinës, ku një përplasje mes një kamioni transportues, një kombi dhe një veture i mori jetën dy personave: Përparim Dushkolli dhe Veton Kastrati.

Të martën u shënua një tjetër aksident në fshatin Begrac të Kaçanikut, ku 77-vjeçari Selman Luzha, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra në një aksident ku u përplasën dy vetura.

Një tjetër tragjedi ndodhi të premten në fshatin Treboviq, ku 15-vjeçari Eldion Kelmendi, vëllai i këngëtarit të njohur Gjesti, humbi jetën në një aksident trafiku.

Vdekja e tij e parakohshme tronditi opinionin publik dhe shkaktoi reagime të shumta në rrjete sociale.

Në varrimin e tij morën mijëra qytetarë, përfshirë artistë, figura publike dhe bashkëmoshatarë të tij.

Po të premten, në Suharekë një punëtor humbi jetën tragjikisht në vendin e punës.

Milit Daka vdiq pasi u godit nga një pjesë metalike e një vinçi në Fabrikën e Ballkanit, sipas njoftimeve nga policia. Ai nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra gjatë aksidentit.

Ngjarjet e rënda nuk u ndalën këtu, të dielën Kosova u përball me edhe dy humbje të tjera.

Një pasagjer humbi jetën në një aksident të rëndë në rrugën mes fshatrave Duhël dhe Carralevë të Suharekës, kur automjeti me të cilin udhëtonte doli nga rruga dhe u përplas me autobusin.

Po atë mbrëmje, në fshatin Lybeniq të Pejës, u nxor i pajetë nga një bunar trupi i Albert Pamajt nga Skivjani i Gjakovës.

Ai kishte rënë brenda derisa po bënte pastrimin e bunarit dhe përpjekjet për ta shpëtuar nuk patën sukses.

Këto shtatë ngjarje fatkeqe brenda një jave rikthejnë në vëmendje nevojën për më shumë siguri rrugore, kontroll në vendet e punës dhe kujdes të shtuar për jetën e qytetarëve në çdo rrethanë. /Telegrafi/