Fundjava futbollistike në elitën e Maqedonisë së Veriut premton duele interesante. Java e pestë nis të premten në Tetovë, ku luhet përballja mes Shkëndijës dhe Bashkimit, njofton Telegrafi.
Kuqezinjtë nga Tetova, që deri më tani kanë grumbulluar 7 pikë dhe kanë një ndeshje më pak për shkak të angazhimeve evropiane, do të kërkojnë rikthimin te fitoret për të mos humbur hapin me kreun e tabelës. Nga ana tjetër, kumanovarët e Bashkimit vijnë pas humbjes nga Struga Trim Lum dhe do të provojnë të befasojnë në Tetovë.
Po të njëjtën ditë, në Shkup zhvillohet derbi i qytetit mes Vardarit dhe Makedonija Gj.P., një përballje që gjithmonë sjell rivalitet.
Të shtunën, në program janë dy sfida të rëndësishme: Shkupi në Strumicë përballet me AP Breran, duke synuar të marrë veten pas startit të vakët në kampionat. Sileksi, lideri aktual i tabelës, pret Rabotniçkin dhe do të kërkojë të mbajë ecurinë pa disfatë dhe pa gol të pranuar.
E diela sjell dy duele që kompletojnë xhiron e pestë: Struga Trim Lum, do të synojë fitoren e pestë radhazi, me kundërshtar Tikveshin. Arsimi udhëton në Manastir për t’u përballur me Pelisterin, në një ndeshje të rëndësishme për objektivat e skuadrës nga Çegrani. /Telegrafi/
Orari i ndeshjeve:
Shkëndija – Bashkimi | 12 shtator, 15:30
Vardari – Makedonija Gj.P | 12 shtator, 19:00
AP Brera Strumicë – Shkupi | 13 shtator, 15:30
Sileksi – Rabotniçki | 13 shtator, 15:30
Struga – Tikveshi | 14 shtator, 15:30
Pelisteri – Arsimi | 14 shtator, 19:00