Java e fundit e fushatës – Kasami, Bajrami, Mexhiti dhe Osmani vazhdojnë me fushatën

Java e fundit e fushatës - Kasami, Bajrami, Mexhiti dhe Osmani vazhdojnë me fushatën

Fushata për zgjedhjet lokale ka hyrë në javën e fundit, ndërsa kandidatët e koalicioneve VLEN dhe AKI kanë vazhduar me aktivitetet e tyre.

Kandidati për kryetar nga radhët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, në kuadër të fushatës zgjedhore sot tetovarëve u premtoi stadium të ri modern si dhe ndërtim të disa terreneve të hapura sportive, nëpër shkollat fillore dhe të mesme të Tetovës.


Sipas Kasamit, investimet në sferën e sportit do të arrijnë rreth 16 milion euro, ndërsa planifikohet investime edhe në ndërtimin e pishinave në disa shkolla fillore në Tetovë. Gjithashtu, premtoi ndërtimin e gjashtë sallave të reja sportive.

“Gjithashtu, do të ndërtohet një qendër e mirëfilltë sportive me dy terrene për futboll të madh (një me bar natyral dhe një bar artificial), me tribuna moderne për tifozët si dhe një terren sportiv multifunksional për të rinjtë. Pjesë e rëndësishme e këtij projekti është edhe ndërtimi i një objekti ndihmës për ekipet e futbollit tetovar, i cili do t’i plotësoj të gjitha standardet e kërkuara nga FFM. Në kuadër të këtij projekti është paraparë edhe ndërtimi i stadiumit për futboll të madh në fshatin Saraqinë. Sot jam këtu për të parë nga afër rrjedhën e punimeve për ndërtimin e tribunës së re përballë tribunës kryesore. Sipas asaj që shihet në terren, po punohet intensivisht për një stadium sipas standardeve evropiane”, tha Bilall Kasami.

Kundërkandidati i tij nga radhët e AKI-së, ka publikuar në rrjetet sociale video duke treguar pjesë nga vizioni i tij për qytetin e Tetovës.

“Tetova vuan nga mungesa e planit urban. Ndërtimet pa plan, kaosi urban dhe interesat e ngushta kanë marrë peng zhvillimin e qytetit tonë, Në vitin e parë do të miratojmë planin gjeneral urbanistik në bashkëpunim me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtar. Ky plan do të garantojë zhvillim të qëndrueshëm, kontroll të ndërtimeve, dhe do t’i jap kahje zhvillimit urbanistik të qytetit tonë. Tetova do të rritet me plan dhe vizion duke ruajtur hapësirat publike për qytetarët”, thotë Rexhepi.

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga AKI Bujar Osmani, në kuadër të fushatës zgjedhore premton se do t’i japë fund praktikës së shantazheve politike përmes kërkesave të pazgjidhura për legalizim, të cilat, sipas tij, ndër vite janë mbajtur në sirtarë si mjet presioni ndaj qytetarëve.

Osmani, premtoi që nëse bëhet kryetar brenda gjashtë muajve, aty ku ka bazë ligjore, nuk do të mbetet asnjë lëndë e pazgjidhur. Ai gjithashtu paralajmëroi se do të bëjë revidim të projekteve aktuale.

“Unë dje fola për ndërtimet pa leje, këtyre të shtëpive. Diku 13.000 kërkesa ka pasur në Çair. Shumë prej këtyre dosjeve nuk janë zgjidhur. Mbahen nëpër sirtarë edhe ruhen për zgjedhje edhe kushtëzohen qytetarët, nëse na jepni votën do ua legalizojmë shtëpitë. Edhe unë thash këtë do e ndalim prej ditës së parë. Për gjashtë muaj, aty ku ka bazë ligjore, nuk do të ketë më asnjë dosje. Nuk guxojmë ne t’i kushtëzojmë qytetarët me punë për të cilat kemi detyrim ndaj tyre. Ose siç bëhet tash me këto punët një muaj apo një javë para zgjedhjeve. Ku është kryetari i komunës? E ka parë dikush kryetarin e komunës?”, deklaroi Bujar Osmani.
Ndërsa kundërkandidati i tij nga radhët e VLEN-it për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, në kuadër të fushatës zgjedhore ka prezantuar masa konkrete për përmirësimin e kushteve në arsimin fillor, me theks të veçantë te barazia sociale, siguria dhe mbështetja për familjet.

Mexhiti ka theksuar se nxënësit do të kenë uniforma, të financuara plotësisht nga buxheti i Komunës së Çairit, ndërsa do të mbulohen edhe shujtat ditore për nxënësit që vijnë nga familjet që përfitojnë mbështetje përmes ndihmës sociale.

“Në të gjitha shkollat fillore të komunës sonë, nxënësit do të kenë uniforma, të financuara plotësisht nga buxheti i Komunës së Çairit. Asnjë familje nuk do të ketë barrë shtesë. Me këtë synojmë të krijojmë mundësi të barabarta, dhe forcon ndjenjën e përkatësisë mes fëmijëve tanë. Po ashtu, Komuna e Çairit do të mbulojë shujtat ditore për të gjithë nxënësit që vijnë nga familjet që përfitojnë mbështetje përmes ndihmës sociale. Askush nuk do të mbetet pas. Çdo fëmijë do të ketë kushte të denja për të mësuar, për t’u ushqyer dhe për t’u rritur me dinjitet. Në të njëjtën kohë, do të forcojmë sigurinë nëpër shkolla, me masa të reja fizike dhe teknologjike, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet arsimore dhe prindërit. Sepse çdo prind duhet të jetë i qetë që fëmija i tij është i sigurt në shkollë”, deklaroi Izet Mexhiti. /Telegrafi/