Gazetarja sportive e njohur, Albana Bejko, ka folur për herë të parë publikisht mbi një ngjarje të rëndë që ka përjetuar, duke treguar se ka qenë viktimë e përndjekjes nga një mjek nga Kosova, i identifikuar si Behar Kamberi.
E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel, Bejko rrëfeu se përndjekja kishte nisur më shumë se një vit më parë dhe ishte bërë gjithnjë e më intensive, deri në momentin që ajo vendosi të kërkojë ndihmën e institucioneve, gjë që më pas çoi në arrestimin e autorit.
“Një moment i frikshëm ishte kur në ambientet ku unë punoj, personi u afrua dhe më kërkoi që të uleshim për kafe. Reagimi im ishte instiktiv, i trembur — i thashë ‘të lutem mu hiq qafe’. Pikërisht në atë moment kaluan katër djem dhe kjo e trembi pak. Periudha më intensive e përndjekjes ka qenë nga qershori i vitit të kaluar deri para pak ditësh, kur unë telefonova policinë”, – rrëfeu gazetarja.
Foto: Top Channel/YouTube
Në studio, Albana shfaqi edhe mesazhet këmbëngulëse dhe shqetësuese që i dërgonte mjeku kosovar, të cilat tregonin një fiksim të thellë ndaj saj. Ai i shkruante duke e quajtur “gruaja e ëndrrave të tij” dhe i ofronte martesë, duke pretenduar se ishte “mashkulli ideal” për të.
Në një prej mesazheve, Kamberi i shkruante: “Përshëndetje Albanë nga Behari. Unë jam burrë ideal për ty. Jam doktor intelektual, gentleman, i bukur dhe i sinqertë. Kam gjendje të mirë financiare dhe shëtis botën. Por eja martohemi dhe jetojmë së bashku në një banesë në Prishtinë, por edhe në Tiranë. Ti do vazhdosh të punosh si tani. Pres reflektim nga ti”.
Në një tjetër mesazh, ai përpiqej ta bindte për t’u takuar personalisht: “Tashmë pasi që ne po njihemi që një kohë të gjatë, kemi bërë foto dhe kemi folur në telefon, kam një ftesë për kafe me ty… Kur të konvenon dhe kur është mirë për ju. Jam në pritje, më lajmëro. Behari”.
Foto: Top Channel/YouTube
Ndërsa në një komunikim tjetër, ai shkruante: “Është kënaqësi që u takova mbrëmë dhe u njoha për së afërmi me ty. Shumë jam i lumtur që fola me ty dhe të çmoj shumë, moj vajza më e bukur e Shqipërisë. Të ftoj të vish në Prishtinë. Të dua shumë, Albana”.
Gazetarja tregoi se pas përballjes me situata të tilla kërcënuese dhe pas rritjes së shqetësimit për sigurinë e saj, vendosi të bëjë denoncimin zyrtar, çka i dha fund përndjekjes.
Rasti i Albanës ka ngjallur reagime të shumta në rrjete sociale, me shumë kolegë dhe qytetarë që kanë shprehur mbështetjen për gazetaren dhe kanë kërkuar që institucionet të trajtojnë me seriozitet të plotë rastet e dhunës psikologjike dhe përndjekjes, sidomos ndaj grave në publik.
Ky rrëfim tronditës vjen si një kujtesë se përndjekja është një formë e dhunës që shpesh nënvlerësohet, por që mund të ketë pasoja të rënda emocionale dhe profesionale për viktimat. /Telegrafi/