Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Komandën e Forcave të Përbashkëta të NATO-s, e cila mbulon Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën, me ftesë të Admiralit Stuart B. Munsch, komandant i kësaj strukture të rëndësishme ushtarake.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Jahjaga bëri të ditur se gjatë takimit me Admiralin Munsch është diskutuar për përfshirjen e parimeve të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në operacionet aktuale dhe të ardhshme të NATO-s. Ajo theksoi rëndësinë e rolit që luan Kosova si një partnere e besueshme në promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.
“I shpreha admirimin tim për kontributin e jashtëzakonshëm të NATO-s dhe KFOR-it në Kosovë, të cilët për më shumë se 20 vjet kanë siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për qytetarët tanë. Intervenimi i NATO-s në vitin 1999 ishte një moment vendimtar që i dha fund një tragjedie dhe hapi rrugën drejt lirisë sonë”, u shpreh Jahjaga.
Ajo po ashtu vlerësoi lart bashkëpunimin e ndërtuar ndër vite mes Kosovës dhe NATO-s, duke theksuar se ruajtja e paqes nuk arrihet vetëm përmes forcës, por edhe përmes vlerave të përbashkëta demokratike dhe partneritetit të qëndrueshëm.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!