Ali Shamkhani, një nga figurat më të rëndësishme të sigurisë kombëtare në Iran dhe këshilltar i lartë i udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, ka ndërruar jetë në spital, një ditë pas nisjes së sulmeve ajrore izraelite në të gjithë territorin iranian, raportojnë mediat iraniane, shkruan Gazeta Sinjali.
Shamkhani, i cili për një dekadë kishte mbajtur postin e Sekretarit të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, ishte gjithashtu ndër negociatorët kryesorë në afrimin diplomatik me Arabinë Saudite, të ndërmjetësuar nga Kina. Ai kishte shërbyer më parë edhe si ministër i mbrojtjes nga viti 1997 deri më 2005 dhe mbeti për dekada një figurë kyçe në strukturat ushtarake dhe politike të Republikës Islamike.
Sipas mediave ndërkombëtare, Shamkhani është zyrtari më i fundit iranian që raportohet i vrarë nga sulmet ajrore të ndërmarra nga Izraeli që prej mëngjesit të së premtes, si pjesë e Operacionit “Rising Lion”.
Midis objektivave të tjerë të lartë që raportohet se janë eliminuar nga Izraeli, përfshihen Mohammad Bagheri, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit; Hossein Salami, komandant i përgjithshëm i Gardës Revolucionare; Gholam-Ali Rashid, komandant i Shtabit Qendror Khatam al-Anbia; dhe Amir Ali Hajizadeh, kreu i njësisë së Mbrojtjes Ajrore të IRGC-së.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!