Izraeli u kërkon palestinezëve të largohen nga Qyteti i Gazës

news image

Ushtria izraelite u ka bërë thirrje palestinezëve të largohen nga Qyteti i Gazës – zona më e madhe urbane në Gazë – meqë ushtria është duke operuar në qytet.

Forcat ushtarake izraelite janë duke kryer ofensivë në paralagje të qytetit që disa javë, pas vendimit të marrë nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, për kapjen e asaj zone.

Netanyahu beson se Qyteti i Gazës është selia e Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera – dhe pushtimi i tij është hap i domosdoshëm për t’i mposhtur militantët.

Lufta është nxitur nga sulmet e Hamasit në tokën izraelite në tetor të vitit 2023, që kanë rezultuar me vrasjen e rreth 1.200 njerëzve, kryesisht civilë.

Prej rreth 240 pengjeve të kapura në sulm, 49 po mbahen ende në Gazë, përfshirë 27 që ushtria izraelite beson se kanë vdekur.

Sulmet hakmarrëse izraelite kanë vrarë mbi 62.000 njerëz në Gazë, shumica prej tyre civilë, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore palestineze, të cilat Kombet e Bashkuara i konsiderojnë kredibile.

Ofensiva izraelite rrezikon zhvendosjen e qindra mijëra palestinezëve, të cilën strehohen aty pas gati dy vjetësh luftime. Para luftës, rreth një milion njerëz, pothuajse gjysma e popullsisë së Gazës, ka jetuar në Qytetin e Gazës.

Ushtria izraelite ka thënë se banorët duhet të largohen në drejtim të Han Junisit, në jug të Gazës, dhe se ata që ikin do të mund të furnizohen me ushqim, ilaçe dhe do të kenë strehim.

Të enjten, ushtria ka thënë se kontrollon pothuajse gjysmën e qytetit, dhe pothuajse 75 për qind të të gjithë Gazës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/