Forcat Ajrore të Izraelit kanë kryer një seri sulmesh ajrore ndaj objektivave të rebelëve Huthi në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa, si përgjigje ndaj një sulmi me dron të nisur nga Jemeni, i cili plagosi mbi 20 persona në qytetin jugor izraelit, Eilat.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, e konfirmoi operacionin përmes një deklarate në rrjetin social X, duke njoftuar se shënjestra ishin disa kampe ushtarake, përfshirë një kamp të shtabit të përgjithshëm të rebelëve Huthi, si dhe depo të armëve dhe dronëve.
“IDF goditi disa kampe ushtarake, përfshirë një kamp të shtabit të përgjithshëm të rebelëve Houthi, eliminoi dhjetëra operativë terroristë Houthi dhe shkatërroi rezerva të dronëve dhe armëve”, shkroi ai në rrjetin social X.
Të mërkurën, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) raportuan se një dron i nisur nga Jemeni u rrëzua në qytetin e Eilat-it. Pas shpalljes së alarmit ajror, mjeti ajror pa pilot (UAV) shkaktoi dëme dhe plagosi mbi 20 persona, prej të cilëve dy mbetën në gjendje të rëndë.
Po atë ditë, Katz ishte zotuar për hakmarrje, ndërsa rebelët Huthi të lëvizjes Ansar Allah morën përsipër përgjegjësinë për sulmin.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!