Izraeli sulmon Dohan e Katarit – thotë se objektivi ishte udhëheqja e lartë e Hamasit

Izraeli sulmon Dohan e Katarit – thotë se objektivi ishte udhëheqja e lartë e Hamasit

Izraeli ka konfirmuar zyrtarisht një sulm ajror në kryeqytetin e Katarit, Doha, duke thënë se objektivi i tij ishte udhëheqja e lartë e Hamasit.

Operacioni, i realizuar në bashkëpunim me agjencinë e sigurisë Shin Bet, synonte eliminimin e figurave kryesore të grupit, të cilët, sipas Tel Avivit, kishin udhëhequr aktivitetet e Hamasit për vite me radhë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.


Ushtria izraelite deklaroi se do të vazhdojë veprimet kundër Hamasit “deri në mposhtjen e plotë të tij”.

Sulmi vjen vetëm disa ditë pasi shefi i ushtrisë Eyal Zamir paralajmëroi vrasjen e udhëheqësve të Hamasit jashtë Gazës.

Vetëm pak orë para ngjarjes, ministri i Jashtëm Gideon Saar tha se Izraeli kishte pranuar një propozim armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA.

Një burim i Hamasit i tha Al Jazeera-s se udhëheqësit e grupit u sulmuan pikërisht gjatë një takimi ku diskutohej ky propozim.

Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në Doha, duke shkaktuar panik mes banorëve. /Telegrafi/