Izraeli reagoi pasi Hamasi pranoi planin e paqes të Trumpit

news image

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, ka reaguar pas vendimit të Hamasit për të pranuar propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

Në një deklaratë për shtyp, u bë e ditur se Izraeli është i gatshëm të bashkëpunojë me liderin amerikan në të gjitha fazat e armëpushimit.

“Izraeli është i gatshëm për zbatimin e menjëhershëm të fazës së parë të planit të Trumpit për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve”, thuhet në deklaratë, ku theksohet se parimet e Izraelit përputhen me vizionin e Trumpit.

“Do të vazhdojmë të punojmë në bashkëpunim të plotë me presidentin dhe ekipin e tij për të përfunduar luftën në përputhje me parimet e vendosura nga Izraeli, të cilat përputhen me vizionin e Trumpit për përfundimin e luftës”, thuhet më tej.

Megjithatë, në deklaratë nuk u përmend thirrja e Trumpit drejtuar Izraelit për të ndalur menjëherë sulmet në Gaza – një kërkesë që presidenti amerikan e ka cilësuar si të domosdoshme për të siguruar lirimin e sigurt dhe të shpejtë të pengjeve.

Trump reagoi përmes rrjeteve sociale, duke e cilësuar këtë si një ditë të madhe për Lindjen e Mesme.

“Bazuar në deklaratën e publikuar nga Hamasi, besoj se ata janë të gatshëm për paqe të përhershme. Izraeli duhet menjëherë të ndalojë bombardimet në Gazë, në mënyrë që të mund të shpëtojmë pengjet në mënyrë të sigurt dhe të shpejtë! Aktualisht është shumë e rrezikshme për ta bërë këtë. Ne tashmë jemi në bisedime për detajet që duhen përpunuar. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Gazën, por me paqen e shumëkërkuar në Lindjen e Mesme”, deklaroi ai.

Lëvizja Hamas publikoi të premten në mbrëmje përgjigjen e saj zyrtare për përfundimin e luftës në Gazë, disa orë pasi Trump kishte dhënë ultimatum që deri të dielën në orën 18:00, sipas kohës së Uashingtonit, të pranohet plani i paqes, përndryshe do të pasonte “ferri që bota nuk ka parë ndonjëherë”.

Në deklaratën e Hamasit thuhet se, pas konsultimeve të gjera me udhëheqësinë, fraksionet palestineze, ndërmjetësuesit dhe “shtetet mike”, ata kanë vendosur t’i përgjigjen pozitivisht pikave kyçe të propozimit.

Militantët theksuan se vlerësojnë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë edhe iniciativën e presidentit Trump, me synimin për përfundimin e luftës, shkëmbimin e të burgosurve, hyrjen urgjente të ndihmës humanitare, ndalimin e okupimit dhe ndalimin e zhvendosjes së popullit palestinez.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/