Nga: Mairav Zonszein, analiste e lartë për Izraelin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave / The New York Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Pas sulmit izraelit ndaj liderëve të Hamasit në Doha të Katarit, më 9 shtator, një zyrtar anonim izraelit i tha Axios-it se kryeministri Benjamin Netanyahu ishte “dashuruar aq shumë me rolin e mujsharit rajonal, saqë askush nuk mund të parashikojë lëvizjen e tij të radhës”.
Në të vërtetë, gjatë dy vjetëve të fundit, Izraeli ka treguar si aftësinë e tij të pakrahasueshme në fushën e inteligjencës, ashtu edhe gatishmërinë për të goditur kudo në rajon – përfshirë, në rastin e Katarit, një vend që nuk është shtet armik, që vepron si ndërmjetës dhe që gjithashtu është aleat i mbështetësit më të madh të Izraelit [ShBA-së]. Për më tepër, Izraeli ishte i gatshëm të vepronte kështu në kohën kur po zhvilloheshin negociatat për t’i dhënë fund luftës në Gazë dhe për të kthyer pengjet izraelite në shtëpi.
Që nga sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023, duket se Izraeli është përqendruar në rivendosjen e sigurisë së vet në rajon – si përmes rindërtimit të aftësisë për të penguar armiqtë dhe çmontimit të kapaciteteve të tyre ushtarake, ashtu edhe përmes gatishmërisë për t’u angazhuar në një luftë të përhershme – një gjendje që ka transformuar shoqërinë izraelite dhe dinamikat e pushtetit në Lindjen e Mesme. Izraeli ka vepruar guximshëm, ka qenë i paparashikueshëm dhe, deri në propozimin e fundit për armëpushim, pothuajse i pandalshëm. Në shumicën e rasteve ka përdorur forcën pa ndonjë diplomaci të qëndrueshme. Shembulli më i qartë i kësaj është, sigurisht, shkatërrimi i Gazës nga Izraeli, duke e bërë këtë territor kryesisht të pabanueshëm, siç e kanë pranuar haptazi disa anëtarë të kabinetit.
Propozimi i Donald Trumpit, muajin e kaluar, për t’i dhënë fund luftës – që në thelb nuk është një plan paqeje, por një ultimatum për Hamasin – ka potencialin për t’i dhënë fund gjakderdhjes dhe shkatërrimit në Gazë, për të liruar pengjet dhe për t’u dhënë gjithë atyre, që janë në terren, një mundësi për të filluar shërimin. Por, suksesi i tij varet nga një angazhim i gjatë politik dhe presion i qëndrueshëm amerikan ndaj Izraelit dhe Hamasit.
Z. Netanyahu e ka mbështetur planin e Trumpit si një fitore. Megjithatë, përfitimet e sigurisë që ka arritur vendi i tij janë të brishta ose të debatueshme, dhe izolimi ndërkombëtar i Izraelit mund të thellohet edhe më shumë. Ndryshimi i karakterit luftarak të Izraelit nuk është domosdo pjesë e këtij ekuacioni.
E gjithë kjo duhet t’i shqetësojë izraelitët. Edhe nëse lufta mbaron, do të vijë një moment i thellë reflektimi për përgjegjësinë kolektive të shoqërisë për vitet me vrasje masive dhe zhvendosje. Palestinezët kanë një nevojë dëshpëruese që kjo luftë të përfundojë. Por, po ashtu edhe izraelitët.
Dobësitë e doktrinës së sigurisë së Izraelit janë bërë gjithnjë e më të dukshme. Në fund të fundit ishte sulmi i dështuar në Doha – një goditje në zemër të Gjirit, ku Izraeli ka përfituar nga mbrojtja e vazhdueshme e Marrëveshjeve të Abrahamit – ai që pati efekt të kundërt, duke nxitur presion të bashkërenduar mbi z. Netanyahu për të përmbushur kërkesën e z. Trump për t’i dhënë fund luftës. Shtytja e fundit e koalicionit të Netanyahut drejt qytetit të Gazës ndodhi jo vetëm kundër vullnetit të disa pjesëtarëve të ushtrisë izraelite dhe shumicës së izraelitëve, por ndihmoi gjithashtu në shtimin e një konsensusi global se fushata e Izraelit në Gazë përbën gjenocid. Izolimi diplomatik i Izraelit – krejtësisht i dukshëm në Kombet e Bashkuara muajin e kaluar, teksa shtetet e mëdha perëndimore njohën Shtetin e Palestinës dhe z. Netanyahu mbajti një fjalim para një salle pothuajse bosh – po e bënte vendin të dukej gjithnjë e më shumë si një akter vetëshkatërrues dhe irracional, sesa si një hegjemon rajonal siç aspironte të ishte.
Strategjia e Izraelit ka sjellë disa fitore taktike. Në Gaza, Izraeli ka dëmtuar ndjeshëm fuqinë ushtarake të Hamasit. Operacionet e tij në Liban i kanë dhënë një goditje vendimtare Hezbollahut dhe – me siguri pa qëllim – kanë kontribuar në rrëzimin e një tjetër armiku, presidentit Bashar al-Assad të Sirisë. Ndërkohë që lufta 12-ditore e Izraelit në Iran nuk arriti qëllimet e z. Netanyahu për të eliminuar programin bërthamor të Teheranit dhe për të dobësuar ndjeshëm regjimin, ajo megjithatë e ka dëmtuar kapacitetin sulmues dhe mbrojtës të Iranit dhe ndoshta, mbi të gjitha, ka treguar se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë frikë të godasin thellë brenda vendit.
Por, në secilin rast, në vend që të ndërtonte mbi këto përfitime dhe të lëvizte drejt paqes si një zgjidhje praktike, Izraeli ka zgjedhur të dyfishojë rrugën e luftës – edhe kur kjo ka qenë në dëm të interesave të veta. Siç e vuri në dukje, së fundmi, i dërguari amerikan Tom Barrack, Hezbollahu ka “zero” nxitje për të hequr dorë nga arsenali i mbetur kur “Izraeli po sulmon të gjithë”. Kur armëpushimi i negociuar nga ShBA-ja hyri në fuqi në Gazë në fillim të vitit, Izraeli mund ta kishte shfrytëzuar mundësinë për të kthyer pengjet dhe për të arritur qëllimet e veta për një panoramë më të mirë të sigurisë rajonale. Në vend të kësaj, e theu armëpushimin dhe vazhdoi të shkaktojë uri masive në mesin e palestinezëve në Gazë.
Në Siri, pas rrëzimit të z. al-Assad, Izraeli ndërmori sulme për të çaktivizuar kapacitetet ushtarake të vendit dhe për të shkatërruar vendet e dyshuara për armë kimike. Ushtarë izraelitë morën pozicione brenda territorit sirian dhe ushtria izraelite pengoi qeverinë e re të vendoste kontroll në zonat druze. Edhe nëse këto ishin veprime të përkohshme në shërbim të sigurisë izraelite, kjo nuk shpjegon pse, mes raportimeve se Izraeli dhe Siria ishin afër arritjes së një marrëveshjeje sigurie, ministri i Mbrojtjes, Izrael Katz, duket se vendosi të tallet me kundërshtarët e tij duke postuar një foto të tij përkrah ushtarëve izraelitë – në një zonë të cilën Izraeli e kishte pushtuar – dhe duke shkruar: “Nuk po largohemi nga Mali Hermon”.
Zakonisht, një fitore mund të kuptohet si një pikë përmbyllëse, ose të paktën një përfundim vendimtar që nuk kërkon veprime të mëtejshme. Por, në Izrael, fitorja duket se sjell vetëm raunde të tjera lufte. Izraeli nuk është fitues, por një luftëtar i përhershëm.
Muajin e kaluar, z. Netanyahu mbajti atë që tashmë njihet si fjalimi i tij “super-Sparta”. Duke e krahasuar vendin me qytetet e lashta të Athinës dhe Spartës, z. Netanyahu pranoi se Izraeli po bëhet gjithnjë e më i izoluar dhe se ekonomia dhe ushtria e tij do të duhen të bëhen më të vetëmjaftueshme. Kjo nuk ishte rrëshqitje në të folur: Ashtu siç i kishte bindur izraelitët të mësoheshin me luftë të përhershme, ai gjithashtu punoi për të normalizuar izolimin e vendit.
Është bërë aksiomë politike në Izrael që strategjia e vetme e z. Netanyahu është mbijetesa politike, se ai do të bëjë gjithçka për të qëndruar në pushtet; se lufta e përhershme e Izraelit ka qenë thjesht një formë megalomanie. Por, kjo nuk është e gjithë historia.
Është e vërtetë që shumica e publikut dhe ushtrisë izraelite për muaj të tërë kanë kërkuar një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës. Por, asnjë nga veprimet që Izraeli ka ndërmarrë gjatë dy viteve të fundit nuk do të kishte qenë e mundur pa një ushtri, media dhe shoqëri të gatshme – përfshirë dhjetëra mijëra rezervistë që zbatojnë urdhrat. Nuk është vetëm çështja se shumë izraelitë nuk e kanë problem idenë e dëbimit të palestinezëve nga Gaza, apo që janë kundër vetëvendosjes së palestinezëve dhe një zgjidhjeje me dy shtete. Në thelb, shumë izraelitë – qofshin për shkak të bindjes, frikës apo nënshtrimit ndaj atyre që janë në pushtet – duket se besojnë se rruga drejt sigurisë është të ruash dominimin dhe të shtypësh këdo që del përpara.
Z. Trump, pavarësisht mburrjes dhe interesave personale, ka tentuar ta ndryshojë këtë ekuacion.
Deri në njoftimin për bisedimet e reja për paqe, që shtyu ushtrinë izraelite të deklaronte se po kalonte në një qëndrim mbrojtës në Gazë, pavarësisht sulmeve të vazhdueshme ajrore, asnjë nga presionet në rritje diplomatike, ekonomike apo kulturore nuk kishin ndikuar në politikën izraelite dhe as nuk kishin ndonjë ndikim domethënës në jetën e përditshme të njerëzve. Në të njëjtën kohë, armëpushimi, ndonëse i vonuar prej kohësh, ka gjasa të zbusë presionin ndërkombëtar mbi Izraelin për të ndryshuar politikat e tij – jo vetëm në Gazë, por ndaj palestinezëve në përgjithësi. Dhe, për momentin, edhe nëse arrihet armëpushimi në Gazë, Izraeli do të vazhdojë të mbajë të pushtuara territoret në Gazë, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, si dhe një prani ushtarake në Liban dhe Siri, përtej Lartësive të Golanit që tashmë janë të pushtuara dhe të aneksuara.
Izraelitët do ta njohin sigurinë e vërtetë vetëm kur ajo të ndihet nga të gjithë përreth tyre – jo nga një vend i vetëm. /Telegrafi/