Tensionet në Lindjen e Mesme po rriten ndjeshëm, ndërsa burime të afërta me zhvillimet kanë pohuar për mediat amerikane se Izraeli po përgatitet për një sulm të mundshëm ushtarak ndaj Iranit, i cili mund të realizohet brenda pak ditësh, shkruan Gazeta Sinjali.
NBC News ka raportuar se operacioni mund të kryhet edhe pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Në të njëjtën kohë, zyrtarët amerikanë janë vendosur në gjendje të shtuar gatishmërie. Departamenti i Shtetit ka urdhëruar largimin e personelit diplomatik jo thelbësor nga disa rajone të Lindjes së Mesme, për shkak të rrezikut të mundshëm nga përshkallëzimi i konfliktit. Ndërkohë, bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit pritet të rifillojnë më 15 qershor në Oman.
Sipas New York Times, autoritetet izraelite po zhvillojnë përgatitje intensive, por nuk kanë bërë publike detaje mbi shtrirjen ose objektivat e mundshëm të operacionit.
Nga ana tjetër, burime iraniane kanë njoftuar se Teherani, në koordinim me komandën ushtarake, ka filluar hartimin e një plani hakmarrjeje në rast sulmi, që përfshin përdorimin e qindra raketave balistike kundër objektivave izraelite.
Ndërkohë, Marina Amerikane ka bërë të ditur se aeroplanmbajtësja “USS Carl Vinson” do të mbetet në Detin Arabik, duke ruajtur pozicionin strategjik në rajon.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!