Izraeli dhe Irani: A do ketë rikthim në luftë?

Izraeli dhe Irani: A do ketë rikthim në luftë?

Ian Bremmer

Vetëm tre muaj më parë, Izraeli dhe Irani luftuan për 12 ditë në një konflikt që tronditi Lindjen e Mesme. Raketa dhe dronë fluturuan në të dy drejtimet, por me ndihmën e madhe të ShBA-së, Izraeli arriti të zotëronte hapësirën ajrore të Iranit, goditi vazhdimisht objektiva bërthamore dhe ushtarake brenda vendit dhe vrau 30 komandantë dhe 19 shkencëtarë bërthamorë iranianë. Kundërpërgjigjja e Iranit arriti pak gjë, që do mund ta pengonte Izraelin në të ardhmen.


Një rikthim në luftë është i pamundur. Megjithëse Irani ka gjasa të ruajë një rezervë uraniumi të pasuruar dhe mundësi për të rindërtuar kapacitetet e pasurimit, fushata izraelito-amerikane e bombardimeve siguroi që tani ai të jetë disa vite larg nga prodhimi i një arme bërthamore.

Izraeli gjithashtu ka normalizuar sulmet e drejtpërdrejta brenda kufijve të Iranit dhe ka demonstruar aftësinë për t’i shkaktuar dëme të konsiderueshme regjimit. Ai mund të kryejë operacione të kufizuara nëse Irani bën përparim të papritur në rindërtimin e programit të tij bërthamor, dhe mund të godasë më shumë baza raketash dhe sisteme mbrojtjeje ajrore, për ta mbajtur përfund mbrojtjen e Iranit.

Nga ana e vet, Irani nuk mund ta përballojë një luftë. Ai do të hakmerret nëse dhe kur Izraeli sulmon përsëri, por përgjigjja do të jetë e kujdesshme dhe e kalibruar në mënyrë që të shmangë një përshkallëzim të rrezikshëm, që pak është në gjendje ta përballojë. Irani sot është në një pozitë shumë më të dobët gjeopolitike se sa ishte para 7 tetorit, pasi ka humbur pjesën më të madhe të rrjetit të tij të aleatëve – nga Hamasi dhe Hezbollahu në Liban te Bashar Assadi në Siri – rrjet tek i cili Teherani ishte mbështetur prej kohësh për të penguar Izraelin dhe për të projektuar fuqi rajonale.

Për momentin, regjimi iranian mbetet i qëndrueshëm. Mungesat e ujit dhe energjisë kanë shkaktuar disa protesta, por shtypja pas luftës nga forcat e sigurisë ka penguar përsëritjen e protestave “Grua, Jetë, Liri” që tronditën vendin në vitin 2022. Çdo rikthim në një luftë me intensitet të lartë mund të rrezikonte kontrollin e regjimit.

Megjithatë, edhe nëse Irani mund të shmangë një luftë tjetër, presioni mbi ekonominë e tij – dhe rrjedhimisht mbi regjimin – është gati të shtohet. Irani përballet me pasojat e afërta të sanksioneve të OKB-së. Në fund të gushtit, tre qeveritë evropiane që nënshkruan marrëveshjen e vitit 2015 për të bllokuar zhvillimin e një programi armësh bërthamore – Britania, Franca dhe Gjermania – nxitën rikthimin e sanksioneve të OKB-së ndaj Iranit, si përgjigje ndaj vendimit të tij për të ndërprerë bashkëpunimin me inspektorët.

Përveç një përparimi diplomatik të pamundur, këto sanksione do të ripërtërihen më 18 tetor, menjëherë pas skadimit të afatit. Uashingtoni ka goditur tashmë sektorët e naftës dhe minierave të Iranit dhe ka ndaluar përdorimin e dollarit amerikan në transaksione tregtare. BE-ja ka vendosur gjithashtu penalitete për shtypjen e dhunshme të protestave të kaluara dhe për mbështetjen ushtarake që Irani ka dhënë për luftën e Rusisë në Ukrainë. Por, sanksionet e OKB-së do të jenë shumë më gjithëpërfshirëse dhe ka gjasa të shkaktojnë një rënie të konsiderueshme të të ardhurave nga nafta dhe të vendosin presion shtesë mbi ekonominë iraniane.

Irani i ka sinjalizuar Administratës Trump se është i hapur për bisedime, por Shtëpia e Bardhë duket e vendosur ta shtrëngojë Teheranin edhe më tej përpara se të fillojnë negociata të reja. Qëndrimi zyrtar i SHBA-së është se Irani duhet së pari të bëjë lëshime të mëdha mbi pasurimin e uraniumit, dhe një tërheqje e tillë është e pamundur. Ndërkohë, Uashingtoni mund të përdorë kërcënimin e rikthimit të sanksioneve të OKB-së për ta vendosur edhe më në qoshe udhëheqjen iraniane.

Teherani nuk është pa simpantizantë dhe klientë. Megjithëse ShBA-ja ka vendosur sanksione ndaj atyre që transportojnë naftën iraniane, Kina vazhdon ta blejë fshehurazi naftën bruto të vendit. Kompanitë e mëdha amerikane të energjisë dhe bankat mbeten praktikisht të shkëputura nga tregtia e naftës iraniane, gjë që i kufizon rreziqet e ndëshkimeve.

Por, pamja e përgjithshme për të ardhurat e naftës së Iranit po errësohet, pasi blerës të tjerë potencialë po qëndrojnë mënjanë. Depozitimi lundrues – cisternat që mbajnë naftë iraniane pa destinacion të përcaktuar – u rrit nga pesë milionë fuçi në 30 milionë gjatë gjysmës së parë të vitit 2025. Të paktën, kjo do të thotë se Irani do të duhet të ofrojë zbritje më të mëdha dhe të pranojë të ardhura më të ulëta për të tërhequr më shumë blerës.

Republika Islamike ka përballuar shumë stuhi që nga revolucioni i vitit 1979 dhe ka gjasa t’u mbijetojë edhe disa të tjerave. Por, pas luftës së fundit Iran-Izrael, Teherani është përpjekur shumë ta shesë mbijetesën si fitore. Megjithatë, telashet vetëm do të shtohen. /Në shqip nga: bota.al/