Katër shtetas italianë janë dëbuar nga Izraeli, pasi ishin ndaluar nga autoritetet izraelite teksa po lundronin drejt Gazës si pjesë e një flote që synonte të dërgonte ndihma në enklavë. Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Jashtme e Izraelit.
Sipas policisë izraelite, më shumë se 470 persona që ishin pjesë e flotës janë ndaluar, ndërsa autoritetet janë në proces të dëbimit të të tjerëve, raporton BBC.
Dëbimi i katër italianëve ndodhi pasi anija e fundit e flotës “Global Sumud Flotilla” u pengua nga autoritetet izraelite të premten në mëngjes. Anijet e para u ndalën rreth 130 kilometra larg bregdetit të Gazës në ujëra ndërkombëtare, ndërsa të tjerat më afër. Izraeli e vëzhgon atë zonë me forca të sigurisë, edhe pse nuk ka juridiksion mbi të.
Bllokimi i anijeve me ndihma të nisura drejt Gazës ka nxitur protesta në disa vende të botës, përfshirë një grevë të përgjithshme në Itali.
Autoritetet izraelite thanë se forcat detare u kishin kërkuar anijeve që ta ndryshonin drejtimin, pasi “po i afroheshin një zone të luftimeve aktive dhe po shkelnin një bllokadë detare të ligjshme”. Ndërkohë, drejtuesit e flotës e cilësuan “të paligjshëm” pengimin e anijeve.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Izraelit theksoi: “Tashmë katër shtetas italianë janë dëbuar. Pjesa tjetër janë në proces të dëbimit. Izraeli është i interesuar që ta përfundojë këtë procedurë sa më shpejt që është e mundshme.”
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!