Më 12 mars 2026, të dhënat personale të gazetares Ardiana Thaçi-Mehmeti nga emisioni televiziv Kiks Kosova, përfshirë numrin e saj privat të telefonit, u shpërndanë në mënyrë të paligjshme në një grup në “Discord” me mbi 70,000 anëtarë.
Gazetarja mori qindra mesazhe ngacmuese brenda natës nga anëtarë të grupit, përfshirë përmbajtje seksuale dhe denigruese.
Derisa për rastin reagoi Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës (RrGGK), edhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) ka dënuar fuqishëm ngacmimin online ndaj gazetares Ardiana Thaçi-Mehmeti dhe duke u bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë për një hetim të shpejtë lidhur me këtë sulm.
Në reagim EFJ tha se dy javë para ngacmimit online ndaj saj, gazetarja kishte raportuar për hapjen e një grupi të ri në Discord, përmes të cilit u publikuan imazhe dhe të dhëna personale të mijëra grave në Kosovë.
“Ardiana Thaçi-Mehmeti ka mbështetjen tonë të plotë. Ngacmimi seksual ndaj kësaj gazetareje është edhe një shembull tjetër shqetësues se si dhuna mizogjene po përdoret gjithnjë e më shumë si armë kundër grave gazetare, me qëllim diskreditimin e tyre profesional dhe në fund heshtjen e raportimit të tyre në interes publik. Ne gjithashtu dënojmë fuqishëm publikimin e paligjshëm të të dhënave personale, i cili jo vetëm që shkel të drejtën e privatësisë së gazetarëve, por gjithashtu i vë ata në rrezik serioz për sigurinë e tyre. Autorët duhet të sillen urgjentisht para drejtësisë”, deklaroi Ricardo Gutierrez, Sekretari i Përgjithshëm i EFJ-së.
Federata Evropiane e Gazetarëve kujtoi se si edhe në maj të vitit 2024, Thaçi-Mehmeti kishte qenë shënjestër e një fushate shpifëse pas raportimit të saj për një grup të ngjashëm në “Telegram”, i njohur me emrin “AlbKings”. Siç është denoncuar nga anëtarja e EFJ-së, AGK, kjo fushatë shpifëse është një hakmarrje e qartë për punën e gazetares. /Klankosova.tv


