Italia “paralizohet” nga protestat mbarëkombëtare kundër Izraelit

Italia "paralizohet" nga protestat mbarëkombëtare kundër Izraelit

Dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë në rrugë anembanë Italisë në një grevë të përgjithshme në solidaritet me popullin e Gazës dhe flotiljen e ndihmave, e cila u ndalua nga ushtria izraelite përpara se të arrinte në Rrip.

Greva, e organizuar kryesisht nga sindikata më e madhe e Italisë, CGIL, ka paralizuar vendin, duke ndërprerë portet dhe trafikun rrugor.


Qindra trena u anuluan ose u vonuan, ashtu si edhe disa fluturime vendase, dhe shumë shkolla private dhe publike u mbyllën.

CGIL vlerësoi se rreth 100,000 njerëz kishin marrë pjesë në protestën në Milano, por policia lokale e vlerësoi këtë shifër në 50,000.

Demonstruesit në Milano mbushën Piazza Leonardo Da Vinci, duke valëvitur flamuj palestinezë dhe duke brohoritur “Liri Palestinës”.

Ndërkohë, 40,000 njerëz marshuan nga terminali i trageteve drejt qendrës së qytetit në Xhenova, dhe të paktën 10,000 protestuan në Brescia.

Mijëra njerëz bllokuan pikën e pagesës së autostradës A4 në Vicenza dhe marshimet prenë rrugët e hyrjes në qendrën historike të Venedikut.

Në Romë, stacioni qendror i trenit raportoi anulime të disa shërbimeve dhe vonesa deri në 80 minuta në të tjerat.

Më shumë se 10,000 protestues bllokuan portin në Napoli, ndërsa portet në Livorno dhe Salerno u bllokuan gjithashtu.

Zëvendëskryeministri Matteo Salvini e quajti grevën “të paligjshme” dhe bëri thirrje për dënime më të ashpra.

“Ata që organizojnë greva të paligjshme duhet të paguajnë për dëmet”, tha ai.

Ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto tha se bllokimi i aksesit në transportin publik “nuk do t’u sjellë lehtësim palestinezëve”.

Protestuesit iu afruan gjithashtu portave të qendrës stërvitore të ekipit italian të futbollit në Firence për të kërkuar që ndeshja e ardhshme kualifikuese e Kupës së Botës kundër Izraelit të mos luhet për shkak të luftës në Gaza.

Bëhet e ditur se Italia është planifikuar të presë Izraelin në Udine më 14 tetor, por UEFA po shqyrton pezullimin e Izraelit për shkak të luftës.

Lojtarët nuk ishin në qendrën stërvitore Coverciano në Firence, por skuadra do të mblidhet atje të hënën.

Sekretari i Përgjithshëm i CGIL, Maurizio Landini, e mbrojti grevën si “plotësisht të ligjshme” dhe u zotua të kundërshtonte një vendim zyrtar se ishte e paligjshme sepse organizatorët nuk dhanë njoftim të mjaftueshëm paraprak. /Telegrafi/