Italia miraton ligjin e parë në BE për Inteligjencën Artificiale – Parashihen burgime për keqpërdorime dhe mbrojtje për fëmijët

news image

Italia është bërë vendi i parë në Bashkimin Evropian që miraton një ligj gjithëpërfshirës për rregullimin e Inteligjencës Artificiale. Ligji i ri, i cili është në përputhje me Aktin historik të BE-së për AI, vendos masa të ashpra ndaj atyre që përdorin teknologjinë për qëllime të rrezikshme.

Sipas mediave të huaja, ligji përfshin dënime me burg për persona që krijojnë apo shpërndajnë “deepfake”, si dhe për ata që përdorin AI për mashtrime digjitale apo për të shkaktuar dëm.

Një ndër pikat kryesore të legjislacionit është edhe mbrojtja e fëmijëve, duke kufizuar aksesin e tyre në platforma që përdorin inteligjencën artificiale në mënyrë të pakontrolluar apo të dëmshme.

Qeveria italiane, e drejtuar nga Giorgia Meloni, ka deklaruar se ligji përbën një hap vendimtar për të ndikuar në mënyrën se si përdoret kjo teknologji në vend.

“Italia po tregon rrugën përpara për të gjithë BE-në”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Ligji gjithashtu parashikon krijimin e strukturave shtetërore mbikëqyrëse, të cilat do të kenë për detyrë të monitorojnë dhe kontrollojnë zhvillimin dhe përdorimin e AI-së në përputhje me ligjin.

Ky veprim i Italisë vjen në një kohë kur Bashkimi Evropian po përgatitet për zbatimin e Aktit për Inteligjencën Artificiale, me qëllim garantimin e përdorimit etik dhe të sigurt të kësaj teknologjie në të gjithë kontinentin.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/