E hënë, 28 Korrik, 2025
spot_img
HomeLajmeIsufaj: Kërkuam që Kurtin ta sillnin me forcë për të dëshmuar, Gjykata...

Isufaj: Kërkuam që Kurtin ta sillnin me forcë për të dëshmuar, Gjykata s’lëshoi urdhëresën

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka deklaruar se kryeministri tash në detyrë, Albin Kurti është ftuar dy herë për të dhënë deklaratë lidhur me hetimet për rezervat shtetërore, por nuk është paraqitur.

Sipas tij, Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata që Kurti të sillet me forcë, por kjo kërkesë nuk është aprovuar.

Sipas Isufajt, ftesa nuk u bë me asnjë tendencë.

“Gjatë fushatës zgjedhore ne nuk ndërmarrim asnjë veprim, përveç atyre që mund të jenë të domosdoshme. Je i sigurt se me përgjegjësi më të madhe e them se nuk i është bërë ftesa me asnjë tendencë. Bile e kemi analizuar gjatë me prokurorët se a duhet ta ftojmë apo jo. E kam diskutuar me prokurorët se nëse s’kemi shumë arsye, mos ta ftojmë. Por arsyet që m’i kanë dhënë prokurorët kanë qenë të tilla sa ftesa e tij ka qenë e pashmangshme. Të garantoj që nuk është bërë kurrë me ndonjë tendencë të caktuar”.

Ai shtoi se mediat nuk janë njoftuar nga Prokuroria për ftesën drejtuar Kurtit, sepse qëllim nuk ka qenë spektakli.

“Kurrë nuk i njoftojmë mediat, se e kemi ftuar atë person apo atë person dhe ejani këtu. Sa herë që e kemi ftuar dikë, vetë i kanë postuar ftesat, vetë kanë ardhur mediat. Nuk e kemi bërë për spektakël, e kemi bërë për të zhvilluar hetim. Nuk i është përgjigjur ftesës, unë mendoj që nuk ka bërë mirë, nuk ka dhënë shembull të mirë si kryeministër”, tha Isufaj në Kallxo.com.

Kur u pyet nga gazetari Kreshnik Gashi se pse nuk janë paraqitur në zyrën e Kurtit për ta marrë deklaratën atje, Isufaj tha:

“Po pse me shku te ai? Pse duhet të përjashtohet? Përkundrazi, Kurti duhet me qenë shembulli më i mirë për qytetarët tjerë. Ne mund të shkojmë te ai në situata të tjera, p.sh. nëse është viktimë e një krimi, nëse është i kërcënuar eventualisht – s’e kemi problem, shkojmë te ai. Ose nëse është i sëmurë – por asnjë nga këto elemente nuk qëndrojnë. Pse duhet ta bëjmë këtë përjashtim?”

Isufaj tha se Prokuroria i është drejtuar edhe Gjykatës për ta sjellë me forcë Kurtin në Prokurori.

“Nuk ka ardhur. Ne i kemi ftesat siç e kërkon Kodi i Procedurës – dy ftesa, nuk është përgjigjur. Ju kemi drejtuar Gjykatës, ashtu siç e kërkon ligji – dy herë. Gjykata ka lëshuar dy urdhëresa, por ai nuk ka ardhur. Unë e them me kompetencë se kërkesa jonë ka qenë e qartë – të lëshohet urdhëresë që dëshmitari të sillet me forcë në Prokurori. Një urdhëresë e tillë kurrë nuk është lëshuar.”

I pyetur nëse hetimi do të mund të përfundojë pa deklaratën e Kurtit, Isufaj u përgjigj:

“Po, hetimi kryhet… për shembull, nëse duhet të ngrihet aktakuzë, nuk e bazojmë në dëshminë e vetëm një dëshmitari, sepse ajo dështon. Procesi është duke vazhduar, dhe më shumë nuk dua të komentoj. Epilogun nuk e flas tash.”

The post Isufaj: Kërkuam që Kurtin ta sillnin me forcë për të dëshmuar, Gjykata s’lëshoi urdhëresën appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT