Kampioni i Kosovës në hendboll për femra, Istogu, e ka mësuar kundërshtarin për raundin e tretë të Kupës Evropiane (EHF European Cup).
Pas shortit të hedhur të martën, Istogu do të përballet me skuadrën e njohur portugeze, Madeira Andebol SAD.
Ndeshja e parë do të zhvillohet në Portugali më 8 apo 9 nëntor, ndërsa ajo e kthimit në Kosovë më 15 apo 16 nëntor.
Madeira është njëra prej skuadrave më me përvojë në garat evropiane, ndërsa garimin e nis pikërisht nga ky raund.
Istogu ka kaluar për herë të pestë në histori një kundërshtar evropian, pasi në raundin e dytë eliminoi ekipin grek AEP Panorama, me të dyja ndeshjet e zhvilluara në Banjë.
Tri skuadrat e tjera kosovare – Samadrexha, Ferizaj dhe Shqiponja – janë eliminuar nga gara.
Pavarësisht sfidës së vështirë që e pret, Istogu synon ta vazhdojë serinë e sukseseve në arenën evropiane.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!