Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka zhvilluar një takim me gastronomët e kryeqytetit.
Gjatë takimit ka diskutuar për sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit në zhvillimin e këtij sektori, që sipas tij, është një prej shtyllave kryesore të ekonomisë dhe identitetit të Prishtinës.
“Gastronomia është shtyllë e rëndësishme e ekonomisë dhe identitetit të kryeqytetit! Në takim me gastronomët e Prishtinës, folëm për mundësitë e bashkëpunimit me ata që i japin shpirt qytetit tonë. Kushdo që e viziton Prishtinën mahnitet nga atmosfera dhe gjallëria që krijon ky sektor. Është koha për një Prishtinë që i trajton gastronomët si partnerë dhe pjesë thelbësore të përjetimeve në kryeqytet,” ka shkruar Ismaili.
Sipas tij, takimi me gastronomët synon të forcojë dialogun me këtë sektor dhe të identifikojë mënyra për ta mbështetur dhe zhvilluar më tej gastronominë në Prishtinë, duke e bërë atë një element të rëndësishëm të ofertës kulturore dhe ekonomike të kryeqytetit.