Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka vizituar klubin e futbollit “2 Korriku”, ku u takua me lojtarët e rinj dhe pa nga afër potencialin e tyre dhe përkushtimin që tregojnë çdo ditë.
Në këtë vizitë, ai tha se sporti është pjesë e identitetit të Prishtinës dhe një fushë që meriton mbështetje të vazhdueshme komunale. Ismaili kujtoi se përkrahja për sportin është e përfshirë në platformën e tij me pesë zgjidhjet për një Prishtinë të jetueshme, ndërsa kthimi i kulturës sportive është një nga prioritetet kryesore të qeverisjes së tij.
Sipas tij, shumë klube sportive që çdo vit sjellin trofe dhe janë burim krenarie për kryeqytetin sot punojnë në kushte të vështira dhe të padinjitetshme, madje disa prej tyre rrezikojnë edhe shuarjen.
“Prishtina e talentëve do të vazhdojë të nxjerrë yje në çdo lëmi sportive! Klubi i futbollit ‘2 Korriku’ është shembulli më i mirë i punës dhe përkushtimit. Gjatë vizitës time i sigurova se asnjëherë në Prishtinë nuk është shfrytëzuar potenciali i madh që ekziston. Prandaj, drejtuesve dhe futbollistëve të rinj u premtova se do ta rrisim kujdesin ndaj klubeve sportive dhe do t’i shtojmë investimet në infrastrukturë, si në qytet ashtu edhe në fshat,” tha Ismaili.
Plani i Ismailit për sportin përfshin përkrahjen financiare dhe infrastrukturore për klubet ekzistuese, ndërtimin e qendrave sportive multifunksionale në lagjet kryesore të kryeqytetit, si dhe krijimin e hapësirave të reja sportive ku të rinjtë dhe qytetarët të kenë mundësi të zhvillojnë talentin dhe të arrijnë potencialin e tyre të plotë.
The post Ismaili takon futbollistët e rinj: Do ta rrisim përkrahjen që të shfrytëzohet potenciali i talenteve të Prishtinës appeared first on Klan Kosova.