Uran Ismaili, kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, ka deklaruar në Rubikon të Klan Kosovës, se nëse zgjidhet kryetar i komunës, do të shkojë përtej problemeve që i kanë qytetarët.
Ai thekson se do të flasë me shifra për projekte, pasi që, siç u shpreh ai, është në gjendje të japë përgjegjësi për çdo premtim që e jep gjatë fushatës zgjedhore, e cila nis zyrtarisht të shtunën e 13 shtatorit.
Ismaili madje ka dhënë zotim, se nëse nuk i realizon 90% të premtimeve të tij, nuk do të kandidojë për një mandat të dytë.
“E ripërsëris: nëse nuk i realizoj 90% të premtimeve të mija, nuk garoj në mandat të dytë. Unë e kam ndërtuar një profil publik si ministër i Shëndetësisë që kam hy në beteja të vështira në këtë ministri, shumë të vështira, edhe në atë kohë është fol mafia e barnave, do nocione që ndoshta nuk janë fare të vërteta, por është fol me pompozitet. Unë kam hyrë në to dhe i kam pre të gjitha me një vijë të drejtësisë për me vendosë shërbime”.
“Përgjegjësia ime, assesi nuk ka arsyetime, qyteti jem, vota e qytetarëve, përgjegjësia 100% e imja. Nëse zgjedhësh kryetar i komunës, njerëzit po të japin votë për të dalë përtej problemeve që i kanë ata. Nga 10 premtime, 9 do t`i zgjidhi gjithsesi. Është ambicie reale, sepse edhe ne duhet me kuptu se mentaliteti i qeverive të cilat nuk marrin përgjegjësi duhet me përfundu. Unë jam kundër këtij mentaliteti, unë flas me shifra se jam në gjendje me jep përgjegjësi, nuk flas në mënyrë abstrakte sepse i frikësohem përgjegjësisë. Përgjegjësia para qytetarëve është vlerë që nuk duhet me humbë asnjë politikan. Më mirë me humb mandatin sesa mentalitetin”, tha Ismaili. /Klankosova.tv
The post Ismaili me zotim interesant: Nëse s’i realizoj 90% të premtimeve, s’garoj më (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.