Në intervistën e tij për “Përballje Podcast” në Telegrafi, Uran Ismaili pati edhe disa fjalë për kundërkandidatet e tij.
Ismaili ndonëse u tregua më i rezervuar në përdorimin e cilësimeve për kundërkandidatet, megjithatë nuk i kurseu kritikat.
Ai theksoi se qytetarët janë të zhgënjyer nga katër vitet e fundit të qeverisjes lokale, të cilat sipas tij kanë qenë të mbushura me premtime të mëdha dhe rezultate minimale.
“Ka ardh në Prishtinë duke premtuar hanën e yjet, projekte madhore. Do të bëjmë nënkalime, do të bëjmë autobusë elektrikë… s’ka fillu as edhe një projekt i vetëm,” deklaroi Ismaili me ton kritik për kryetarin aktual Përparim Rama të LDK-së.
Ismaili iu përgjigj edhe akuzave të Ramës që e quajti fajtorin kryesor për gjendjen me mbeturina në kryeqytet.
“Nuk kam asnjë aksioner në Pastrim, PDK-ja nuk e ka asnjë aksionar”, tha Ismaili.
– YouTube www.youtube.com
Për kandidatin e LVV-së, Hajrulla Çeku, Ismaili tha se “nuk shoh ndonjë lidhje të Prishtinës me të. Mendoj që ka qenë vendim politik që ai me garu e jo dëshirë e brendshme. Teatrin Kombëtar nuk e ka pas larg nga ministria për katër vite dhe ende nuk ka përfundu”.
Ismaili theksoi se qytetarët janë lodhur nga fjalët boshe dhe retorika politike.
“Njerëzit janë të lodhur nga fjalët. Nuk duan më show, duan punë”, tha ai.
Duke përmendur ndarjen e skenës politike në konflikte të vazhdueshme, Ismaili shtoi: “Nëse doni edhe katër vite të tjera me konflikte, i keni kandidatët. Nëse doni katër vite të qeverisjes konkrete, që ec përpara, atëherë është alternativa”.
Megjithatë, Ismaili deklaroi se nuk është në garë për t’i sulmuar të tjerët, por për të ofruar një alternativë të besueshme për qytetarët.
“Unë po ofroj qeverisje të përkushtuar dhe të përgjegjshme. Ata që duan rezultate, më njohin për këtë”, tha kandidati i PDK-së për Prishtinën. /Telegrafi/