Në debatin për kryeqytetin, kandidatja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Besa Shahini, dhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, kanë gjetur pika të përbashkëta në vlerësimin e disa prej problemeve më të mëdha me të cilat po përballet Prishtina.
Të dy kandidatët janë pajtuar se trafiku i rënduar, mungesa e pastërtisë dhe çështja e qenve endacakë janë dështime serioze të qeverisjes aktuale komunale.
Gjatë diskutimit, Uran Ismaili ka prezantuar planin e tij për zhbllokimin e trafikut dhe përmirësimin e ndriçimit publik në lagjet e kryeqytetit, duke theksuar se “mungesa e dritave në shumë zona është bërë pengesë serioze për lëvizjen e sigurt, sidomos për gratë dhe vajzat”.
Pas kësaj, Besa Shahini ka deklaruar se pajtohet plotësisht me zgjidhjet e propozuara nga Ismaili, ndonëse, siç tha ajo, “jo domosdoshmërisht me vizionin e tij”.
Debati u karakterizua nga toni bashkëpunues në disa tema dhe kritika të ashpra ndaj qeverisjes aktuale, me të dy kandidatët që premtuan plane konkrete për ta bërë Prishtinën më funksionale, më të pastër dhe më të sigurt.