Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka komentuar përplasjet e fundit në raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai tha se marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në nuk janë lineare, por variojnë nga “të mira” deri në “shumë të mira”, ashtu siç ndodh në miqësitë ndërshtetërore.
Sipas tij, Qeveria Kurti ka bashkëpunim më të ngushtë me SHBA-në në fushën e mbrojtjes, inteligjencës dhe sigurisë, ndërsa sfidat më të mëdha shfaqen në diplomaci. Islami theksoi se debati mbi këtë temë duhet të shmangë qasjet ekstreme të servilizmit apo armiqësisë, pasi të dyja janë të dëmshme.
Ai kujtoi se Kosova ka përjetuar katër gjenocide nga Serbia në dy shekujt e fundit dhe se rreziku mbetet i vazhdueshëm. “Serbia kërcënon përmes strukturave ilegale dhe paralele në Kosovë, spiunazhit, sabotazhit, armatosjes dhe bazave ushtarake pranë kufirit, duke u mbështetur edhe nga Rusia dhe Kina,” shkroi Islami.
Eksperti shtoi se, përballë këtyre sfidave, është domosdoshmëri mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe kundërvënia ndaj kërcënimeve të Serbisë.