Kryeministri i Japonisë ka deklaruar në Kombet e Bashkuara se njohja e Shtetit të Palestinës nga Tokio është vetëm çështje kohe, duke thënë se ishte “i indinjuar” nga komentet e fundit të zyrtarëve izraelitë.
Gati 80 përqind e anëtarëve të OKB-së e njohin shtetin e Palestinës, me një sërë vendesh, përfshirë Britaninë, Kanadanë dhe Francën, që shtuan emrat e tyre këtë javë pas gati dy vitesh lufte në Gaza, transmeton Telegrafi.
“Ndihem thellësisht i indinjuar nga deklaratat e bëra nga zyrtarë të lartë të qeverisë izraelite, që duket se e hedhin poshtë kategorikisht vetë nocionin e ndërtimit të shtetit palestinez”, tha Shigeru Ishiba.
“Për vendin tonë, pyetja nuk është nëse duhet të njihet një shtet palestinez, por kur. Veprimet e vazhdueshme të njëanshme nga qeveria e Izraelit nuk mund të pranohen kurrë”, shtoi ai.
“Duhet të deklaroj qartë se nëse ndërmerren veprime të mëtejshme që pengojnë realizimin e një zgjidhjeje me dy shtete, Japonia do të detyrohet të marrë masa të reja në përgjigje”, tha ndër tjera Ishiba.
Gjithashtu bëri të ditur se “terrori i shkaktuar nga Hamasi dhe shkatërrimi në Gaza që po shohim sot, kanë lënë shumë njerëz të ndihen thellësisht të trishtuar”.
“Ajo që ka më shumë rëndësi është që Palestina të mund të ekzistojë në një mënyrë të qëndrueshme, duke jetuar krah për krah në paqe me Izraelin. Ndërsa e ftojmë Palestinën të marrë përsipër rolin e saj si një anëtare e përgjegjshme e bashkësisë ndërkombëtare, pala palestineze duhet të krijojë një sistem qeverisjeje që siguron llogaridhënie”, tha Ishiba.