Luftëtari Ramiz Brahimaj dha një tjetër paraqitje të jashtëzakonshme në UFC, duke regjistruar një fitore mbresëlënëse ndaj Austin Vanderford dhe duke konfirmuar reputacionin e tij si një nga luftëtarët më të fortë shqiptarë në oktagon.
Në deklaratën e tij pas ndeshjes, Brahimaj u shpreh i emocionuar dhe plot pasion, duke treguar anën e tij njerëzore pas betejës brutale në kafaz.
“As nuk di nga t’ia nis. Ndihem shkëlqyeshëm. Siç e dini, ai (Austin Vanderford) dëshiron të të kapë dhe unë i thashë ‘hajde, dëshmo veten’,” tha ai për mediat amerikane.
Por momenti më i fortë i intervistës erdhi kur Brahimaj foli për rrugëtimin e tij personal dhe luftën me vetveten.
“Duhet ta bëj, nuk kam shans tjetër. Jam idioti më i madh në botë që synon t’ia dalë. Jam lodhur duke provuar ta dëshmoj veten. Nuk ka më lojëra, lojërat janë në të kaluarën. Siç thotë trajneri im: ‘Je fitues, fito. Je vrasës, bëhu vrasësi’. Dhe sot e dëshmova – isha vrasësi”.
Brahimaj, që aktualisht jeton dhe stërvitet në Chicago, nuk harroi të përmendte edhe rrugën e vështirë që e ka formuar si njeri dhe sportist.
“Tani jam në Chicago, por kjo më kujtoi kur isha në Bronx dhe nuk kishim ushqim për të ngrënë me familjen. Sot kam një trajner meksikan që nuk i intereson si ndihesh, çfarë thua – ai të thotë vetëm ‘ngrihu dhe puno’”, përfundoi ai./Telegrafi/