Ish-presidenti francez shpallet fajtor për konspiracion kriminal për marrëveshjet me Gaddafin

news image

Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, është shpallur fajtor për konspiracion kriminal. Vendimi u dha në seancën e sotme gjyqësore, ku Sarkozy dhe ndihmësit e tij akuzoheshin për lidhjen e një pakti të dyshuar korrupsioni me regjimin e ish-diktatorit libian, Muammar Gaddafi, me qëllim sigurimin e fondeve për fushatën presidenciale franceze të vitit 2007.

Sarkozy u lirua nga tri akuzat e tjera që rëndonin ndaj tij – korrupsion pasiv, financim i paligjshëm i fushatës dhe keqpërdorim i fondeve publike – duke mbetur i akuzuar vetëm për konspiracion kriminal.

Pritet që ish-presidenti francez të apelojë vendimin, ndërsa gjatë seancës së sotme ai ka mohuar akuzat ndaj tij.

Sipas prokurorëve, Sarkozy dhe bashkëpunëtorët e tij kishin hartuar një marrëveshje korrupsioni me Gaddafin dhe regjimin libian në vitin 2005, për të financuar fushatën presidenciale të vitit 2007. Po ashtu, sipas akuzës, anëtarë të rrethit të ngushtë të Sarkozisë zhvilluan takime në Libi me përfaqësues të regjimit të Gaddafit, në kohën kur Sarkozy ishte Ministër i Brendshëm i Francës.

Marrëveshja dyshohet se parashihte që, në këmbim të parave, regjimi libian do të përfitonte favore diplomatike, ligjore dhe biznesi, duke ndihmuar edhe në rehabilitimin e imazhit ndërkombëtar të Gaddafit.

Udhëheqësi autokrat libian, sundimi brutal 41-vjeçar i të cilit u shënua nga shkelje të të drejtave të njeriut, ishte i izoluar ndërkombëtarisht për shkak të lidhjeve me terrorizmin, përfshirë bombardimin e fluturimit 103 të Pan Am mbi Lockerbie, në Skoci, në dhjetor të vitit 1988.

Pas zgjedhjes si president në vitin 2007, Sarkozy ftoi Gaddafin për një vizitë shtetërore në Paris, gjatë së cilës ai ngriti tendën e tij beduine në kopshte pranë Pallatit Élysée. Sarkozy ishte udhëheqësi i parë perëndimor që e priti Gaddafin në një vizitë të plotë shtetërore pas dekadave izolimi, të shkaktuara nga statusi i tij si sponsor i terrorizmit shtetëror.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/