Ish-drejtori i FBI-së, James Comey nën dy akuza

news image

Një juri e madhe federale në shtetin e Virxhinias në SHBA ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, me dy akuza që lidhen me dëshminë e tij para Kongresit.

Comey, i cili prej kohësh është kritikuar nga presidenti amerikan Donald Trump, akuzohet se ka gënjyer Kongresin gjatë dëshmisë së tij në shtator të vitit 2020, lidhur me atë nëse ai kishte autorizuar rrjedhjen e informacionit të klasifikuar në media.

Duke iu përgjigjur aktakuzës, Comey deklaroi pafajësinë e tij dhe tha se kishte “besim të madh në sistemin gjyqësor federal”, raporton BBC, transmeton Sinjali.

Aktakuza vjen disa ditë pasi Trump i bëri thirrje Prokurores së Përgjithshme, Pam Bondi, që të hetojë më agresivisht kundërshtarët e tij politikë, përfshirë edhe Comey-n. Hetimi po udhëhiqet nga Lindsey Halligan, Prokuror i SHBA-së për Distriktin Lindor të Virxhinias, e cila më parë ka qenë avokate personale e Trumpit.

Seanca e parë gjyqësore ndaj Comey-t – ku akuzat do t’i lexohen formalisht – është caktuar të mbahet në mëngjesin e 9 tetorit në Aleksandria, Virxhinia, në orën 10:00 sipas kohës lokale (14:00 GMT), raporton CBS, partneri amerikan i BBC-së.

Bondi tha në një deklaratë se aktakuza “reflekton përkushtimin e Departamentit të Drejtësisë për të mbajtur përgjegjës ata që abuzojnë me pozitat e pushtetit duke mashtruar popullin amerikan”.

Comey është akuzuar me një pikë për deklarata të rreme dhe një tjetër për pengim të drejtësisë.

Departamenti i Drejtësisë kishte kërkuar nga juria e madhe të shqyrtonte tre akuza kundër Comey-t, por ajo vendosi që vetëm dy prej tyre kishin prova të mjaftueshme për të shkuar në gjykatë. Akuza e tretë ishte një tjetër për deklarata të rreme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/